Kronikë

Nga shkollimi, deri te vlerësimi nga ambasadorja Kim, kush është drejtori i ri i Policisë së Shtetit

6 Tetor 2021, 14:34| Përditesimi: 6 Tetor 2021, 14:35

  • Share

Gledis Nano është emëruar drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. I martuar me dy fëmijë, Nano lindi në Shkodër më 26.08.1981. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme, ai përfundoi Akademinë e Policisë “ Arben Zylyftari” më 2002 ku më pas emërohet Specialist i Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Shëndetit në Sektorin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarku Korçë.

Më pas, në 2011 Gledis Nano përfundoi Fakultetin e Drejtësisë, Dega Juridik në Shkodër dhe gjithashtu përfundoi studimet në Master Shkencor “E Drejta Penale: në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë.

Nga Gushti i vitit 2002 deri në marrjen e detyrës së Drejtorit të Drejtorisë së Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ai ngjiti një e nga një shkallët e karrierës policore duke kaluar detyrat nga specialist e deri në Drejtor. Krahas karrierës policore, Nano ndoqi dhe përfundoi me sukses një sërë trajnimesh ndërkombëtare për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes ku ndër të tjera vlen të përmendet përfundimi i studimeve në “Programin mbi studimet e Terrorizmit dhe Sigurisë” në Kolegjin Europian për Studime të Avancuara të Sigurisë Geroge C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani si dhe Akademinë Kombëtare të FBI, Sesioni i 268 në Quantico, Virginia, Ëashington DC, SHBA.

Gjatë karrierës së tij si Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kontributi dhe operacionet e drejtuara nga Gledis Nano ishin thelbësore për realizimin me sukses të operacionit të riatdhesimit të Shqiptarëve nga kampet famëkeq të Al-Hol.

Njohës shumë i mirë i katër gjuhëve të huaja, Gledis Nano është vlerësuar më një sërë certifikatash dhe vlerësimesh nga drejtues Institucionesh të rëndësisë së veçantë të sigurisë nga vendet partnere. Gjithashtu, Gledis Nano është vlerësuar me Medalja e Artë “Për rezultate të shkëlqyera në ndjekjen e studimeve në Akademinë Ndërkombëtar të Zbatimit të Ligjit” Budapest, Hungari; Medalja e Nderit  akorduar në vitin 2016, me motivacionin “Për shërbime të shquara dhe profesionalizëm të lartë të treguar në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të aktiviteteve terroriste në Shqipëri”; gjithashtu, Gledis Nano u vlerësua me Certifikatë Lavdërimi me motivacionin “për Arritje të Shkëlqyera për sigurimin e informacioneve policor me vlerë për Ambasadën e ShBA në Tiranë si në raste të hetimit të terrorizmit ashtu dhe në çështje të tjera me karakter policor. Përkushtimi dhe puna juaj e palodhur ka çuar lart emrin tuaj, atë të Drejtorisë së Antiterrorit  , dhe të përpjekjeve tona të përbashkëta në luftën ndërkombëtare ndaj terrorizmit”, akorduar nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.


Lajmi kryesor:

ZYRTARE/ Ish-kreu i Anti-Terrorit, Gledis Nano emërohet drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në vend të Ardi Veliut! Priten ndryshime në disa drejtori


  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?