Gjatë 24 orëve të fundit Policia e Tiranës ka vënë në pranga 15 persona, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim, si edhe janë proceduar penalisht 3 shtetas të tjerë.
Sipas bluve të kryeqytetit një 42-vjeçar me iniciale E.G u kap në flagrancë duke i dhënë një sasi heroine, shtetasit J. Gj. "Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. G. u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi J. Gj", thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa një 30 vjeçar u arrestua dhe një 23-vjeçar u procedua pasi kundërshtuan punonjësit e policisë gjatë shoqërimit në polici për arsye verifikimi.
Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. Gj., si edhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi i mitur R. Gj., 17 vjeç, pasi në zonën e Institutit Bujqësor, kanë goditur për shkak të detyrës faturuesin e OSHEE-së dhe i kanë thyer atij aparatin matës.
Po ashtu dy persona të tjerë u arrestuan për dhunë në familje. Ndërsa u arrestua edhe një 45 vjeçar, i shpallur në kërkim për veprat penale "Vjedhja" dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë“.
Nga policia rrugore u arrestuan 9 persona për drejtim mjeti pa patentë dhe në gjendje të dehur.