Nga shpronësimet, te statutet e biografitë, si nisi plani tinëzar i komunistëve në ’48 kundër besimeve fetare, historiani Beqir Meta: Iniciator kryesor, Enver Hoxha

27 Shkurt 2023, 16:38| Përditesimi: 27 Shkurt 2023, 17:16

  • Share

Nga viti 1967 deri në ’89-ën, Shqipëria ishte i vetmi vend evropian, që ndaloi me ligj besimin. Klerikë e besimtarë u dënuan me burg, objekte kulti u shkatërruan, e madje, siç rrëfen historian Beqir Meta, regjimi komunist ngriti edhe një muze ateist…

“Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pas vitit 1961, udhëheqësit komunist vendas menduan se duhet të bënin ndryshe nga sa po bënte BS. BS i Hurshovit, dhe regjimet komuniste në vendet e Lindjes, ecën në drejtim të kundërt, nisën t’i liberalizonin marrëdhëniet me komunitetet fetare. Regjimi Komunist në Shqipëri, shkon në krahun e kundwrt. Nis e bëhet më shtrëngues ndaj tyre. Nis ta shtrëngojë më shumë lakun, duke filluar t’i mbysë pak nga pak!”, shprehet akademiku Beqir Meta.

Se si nisi e gjithë kjo sagë përndjekje, bashkë me studiuesit Afrim Krasniqi e Hasan Bello, e pasqyrojnë përmes dokumenteve arkivore në botimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike, “Shteti dhe komunitetet fetare, 1948-1950”, të prezantuar këtë të hënë në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”.

“Së pari, shfrytëzuan vështirësitë e tyre ekonomike. Nga njëra anë ju shtetëzon pronat e tyre, duke i vënë në vështirësi financiare. Mandej detyruan të gjitha komunitetet fetare, të krijojnë statute dhe rregullore të brendshme, që i përshtateshin ligjeve apo vendimeve të reja që po nxirrte partia komuniste. I detyronte të gjithë klerikët që të bënin biografitë e tyre, të cilat dërgoheshin në këtë Komitetin e Çështjeve klerikale dhe aty studioheshin dhe viheshin me kryq të kuq, ata që dukeshin të papranueshëm për regjimin, ose siç i konsideronin reaksionarë. Dhe pastaj fillonin dhe i diferenconin nga ana politike. Këta përjashtoheshin nga institucionet fetare dhe vinin elementë të tjerë pro komunistë.”, shprehet më tej Meta.

Dokumentet i përkasin Fondit Arkivor të Komitetit për Çështjet Klerikale, të çelur pranë Këshillit të Ministrave, prej vitit ’48 për të kontrolluar çështjet fetare, në gërryerjen e të cilave siç thotë Meta, ishte i përfshirë drejtpërdrejte edhe Enver Hoxha.

“Sigurisht që ai ishte iniciatori kryesor, si për çdo vendim që është marrë në Shqipëri edhe për çështjen e feve. E shikonte besimin si një sferë rivale, si një sferë të shoqërisë civile që ishte jo plotësisht nën kontrollin e tij”, shprehet më tej studiuesi.

Kujtesa përmes këtij botimi në këto ditë të memories së krimeve komuniste, siç thotë Meta shërben edhe si simbolikë e rezistencës dhe vuajtjeve që patën klerët nga lufta që diktatura u bëri komuniteteve fetare.

Botimi do të vijojë me vëllime të tjera, për të pasqyruar gjithë çka ngjau me fenë në Shqipëri, deri në ditët e sotme.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?