Në industrinë miliarda euroshe të futbollit padyshim duhet një pagë dinjitoze për një arbitër i cili veç punës së lodhshme ka përsipër një barrë të rëndë vendimarrje, pas së cilës mund të ketë shumë kritika dhe deri kërcënime.
Federatat e futbollit në Europë dhe vetë UEFA kanë vlerësuar arbitrat, por gjithmonë ka një hendek të madh në krahasim me pagat që marrin futbollistët apo trajnerët. Në një vëzhgim të fundit në "Gazzetta dello Sport", La Liga dhe Bundesliga vlerësojnë më mirë arbitrat sa i takon pagës dhe më pas vjen Serie A, Premier League dhe Ligue I.
Në fillim po ndalemi te pagesa e gjyqtarëve në Superligën shqiptare të futbollit. FSHF jep 400 euro për ndeshje për arbitrat kryesor dhe më pak për asistentët dhe pjesën e VAR-t, shifra që asnjëherë nuk janë bërë me dije në mënyrë të zgjeruar.
Në Spanjë, një arbitër kryesor i La Ligas paguhet deri në 4.830 euro për ndeshje. Asistentët dhe pjesa e VAR-it më pak, por një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave shkon edhe për taksat, por jo më shumë se në Gjermani. Në Bundesligë një arbitër kryesor paguhet 5.800 euro bruto për ndeshje.
Nëse ndalemi në Itali, për çdo ndeshje të Serie A një gjyqtar kryesor merr 4 mijë euro, asistentët nga 1.400 euro dhe arbitri i VAR paguhet 1.700 euro, ndërsa asistenti i VAR 800 euro. Arbitri i katërt paguhet 500 euro.
Diferenca është e madhe me Serie B, teksa arbitri kryesor paguhet 2.000 euro, asistentët 600 euro për ndeshje dhe arbitri i katërt 500 euro. Gjyqtari i VAR 800 euro dhe ndihmësi i tij 400 euro.
Në Angli, Premier League ofron 1.065 euro për arbitrat në çdo ndeshje. Në ishull ka diferencë të madhe, pasi ka një pagë bazë për arbitrat që shkon në 120 mijë euro në vit.
Ligue I në Francë e paguan një arbitër 3.124 euro për ndeshje, duke bërë që ky kampionat të renditet i pesti më i paguar në Evropë.
Kështu, sipas pagesave dhe taksave, "Gazzetta" përllogarit se për 20 ndeshje arbitrim në sezon, arbitrat në Spanjë janë më të lumtur me llogaritë bankare dhe pas tyre vijnë ata në Gjermani, Itali, Angli dhe Francë.
Pagesa e arbitrave në ligat evropiane
Pagesat në kompeticionet evropiane
Le të flasim tani për dy kompeticionet më të rëndësishme të klubeve, pra Europa League dhe Champions League.
Në kompeticionin e parë një gjyqtar paguhet nga 5.500 euro për ndeshje në raundin e parë, në 6.000 euro në çerekfinale dhe në gjysmëfinale dhe 7.500 euro në finale.
Në Champions League çmimet variojnë nga 6.000 euro në turet e para, deri në 7.500 euro në çerekfinale dhe gjysmëfinale, deri në 10.000 euro për finalen.
Pagesat e arbitrave në Champions dhe Europa League
Komente
