Nga shtëpia e fëmijës, sot kandidat për deputet në PS, Muharremi: Ju keni infrastrukturë më të mirë, atëherë nuk kisha një bibliotekë ku të studioja

16 Mars 2021, 12:25| Përditesimi: 16 Mars 2021, 13:26

  • Share

Alfred Muharremi, djali që është rritur në fshatin SOS, është pjesë e listës së Tiranës për zgjedhjet e 25 Prillit. Alfredi kandidon për Partinë Socialiste, duke treguar se është e vetmja forcë që nuk sheh se nga vjen apo djali i kujt je.

Në takimin me një grup të rinjsh që votojnë për herë të parë, krah kryebashkiakut Erion Veliaj, Alfredi tregoi një pjesë nga historia e jetës së tij dhe çfarë e ka bërë atë të fortë.

“Unë vij nga komuniteti i fëmijëve që janë rritur pa kujdesin prindëror dhe kur isha në moshën 18-vjeçare, dua t’ju them një përvojë, nuk arrita dot të votoja për faktin se nuk kisha mundësi të blija kartën e identitetit. Nuk shkova dot në votim sepse nuk kisha mjaftueshëm të ardhura për ta blerë atë kartë. Kjo më shtyu që të punoj fort, megjithëse isha në moshën e gjimnazit dhe njëkohësisht më duhej edhe të studioja”, u shpreh Alfredi.

Ndërsa vuri në dukje se sot falë investimeve të Bashkisë së Tiranës, gjërat janë më të lehta.

“Një gjë pozitive që unë e shoh tani dhe në atë kohë nuk e kam parë, është se ju tani keni infrastructure. Në atë kohë unë nuk kisha një bibliotekë dhe nuk arrija dot të studioja, isha i detyruar të studioja gjatë orës 2-3 të natës, ndonjëherë më zinte gjumi edhe në klasë, ishin periudhat më të vështira të jetës sime. Por, unë sot e shoh edhe si periudhën që më ka bërë edhe më të fortë, ndoshta edhe më të denjë për të dalë sot përpara jush”, sqaroi kandidati për deputet, Alfred Muharremi.

 

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?