Nga skena greke në Berlin, balerini shqiptar Andrea Dorian Rama: Arti s’duhet të kyçet

29 Tetor 2020, 18:37| Përditesimi: 29 Tetor 2020, 19:25

  • Share

I lindur dhe i rritur në një familje ushtarake në Tiranë, djaloshi çapkën dhe plot energji, artisti me origjinë shqiptare Andrea Dorian Rama rrëfen për “ReportTV” takimet e para me baletin bashkëkohor në Greqi.

“Unë jam rritur në një familje ushtarake. Kam jetuar deri në moshën 10 vjeç në Tiranë, derisa prindërit u zhvendosën në Athinë. Në moshën 14-15 vjeç një vajzë më ftoi në kërcim. Ky ka qenë kontakti im i parë me baletin bashkëkohor. Pas tre-katër vitesh pata eksperiencën e parë në skenë, në komedi në një teatër. Të them të drejtën s’kam një histori romantike, ku djali fillon baletin dhe prindërit nuk lënë, por një histori të thjeshtë. Pasi përfundova shkollën e baletit në moshën 27-vjeçare, nuk kam ndalur duke qenë pjesë e veprave të ndryshme në valet, teatër edhe në disa filma”, shprehet balerini Andrea Dorian Rama.

Balerini ndalet dhe tek angazhimet e tij në Teatrin Kombëtar të Baletit në Greqi, Gjermani dhe Francë 

“Fillimisht kam bashkëpunuar me disa kërcimtarë në Greqi, pastaj në Gjermani, Francë dhe Luksemburg, Belgjikë, Finlandë, Itali, Estoni, Letoni, Qipro, Poloni, Spanjë, Shqipëri dhe Kinë, duke qenë pjesë e “Théâtres de la Ville de Luxembourg”, “Maison des Arts Créteil”, “The Athens Concert Hall”, “Megaro Mousikis Athinon” dhe do të performoj në Neë York dhe Londër” - tha Andrea Dorian Rama.

Hera-herës ashqiptarë u është dashur që të ndeshen dhe me paragjykimet raciste në shtetin fqinj, por Andrea rrëfen se:    

“Racizmi ka qenë shumë prezent në Greqi, por besoj se buzëqeshja apo heshtja kanë qenë arma më e fortë për t’i eliminuar. Një arsye që unë u angazhova në balet ishte se ajo botë ka qenë shumë më pak e prekur nga racizmi, që niste nga mediet dhe ujiste fëmijët. E kam ndierë racizmin në shkollë, por duke u marrë më baletin gjeta një mënyrë, ku nuk diskutohej nëse je shqiptar apo palestinez, por mjaftonte të ishe njeri” - tha Andrea Dorian Rama.

Lidhja e ngushtë që artistët në vendin tonë kanë me institucionet e kulturës, është e trashëguar nga regjimi komunist. Por për balerinin ata duhet të dalin dot jashtë dyerve të institucionit në periudhë të vështirë që po kalon mbarë bota, sikundër është pandemia COVID 19, ndërsa teatrot duhet të hapen.

“Lidhja e ngushtë e artistëve me institucionet vijon si traditë nga regjimi komunist, ku pas mbarimit të shkollës artistët kishin një punë, që ua mundësonte shteti. Kështu artistin e zinte gjumi në këmbë, duke pritur nga institucionet. Tashmë, pas 30 vitesh gjërat janë të hapura dhe nuk duhet të presim më nga institucionet. Por nga mbyllja e kësaj situate për shkak të covid 19, duhet të përfitojmë dhe të dalim në hapësira publike. Besoj se pavarësisht gjithçkaje, teatrot duhet të hapen” - tha Andrea Dorian Rama.

Një tjetër shqetësim për artistin është shkrirja e të gjithë zhanreve të artit së bashku dhe performancat në hapësira publike në këtë periudhë të vështirë, sikundër është pandemia COVID 19. 

“Arti nuk duhet mbyllur në studio apo teatro. Ne jemi të parët që kemi përgjegjësi, që arti të tentojë të dalë në rrugë apo hapësira publike. Festivali që bëmë në Tiranë ishte një ide që nisi nga përgjegjësia personale për të parë mundësitë që mund të krijohen për publikun, që s’ka ardh në asnjë opera. Disa aktivitete u anuluan dhe disa të tjera u plotësuan, se s’ishin të përshtatshme për situatën. Mendoj se duhet të jemi ne të parët, që duhet të jemi fleksibël. Ky moment është i tillë dhe ne nuk duhet të mbyllemi patjetër në teatër, por me institucionet duhet të  bashkëpunojmë. Kemi përgjegjësi të madhe para publikut, prandaj duhet të dalim, sikundër bëjmë çdo ditë. Artisti duhet të takohet me publikun në mënyrë sistematike dhe të jetë i hapur për të bashkëpunuar me çdo lloj zhanri, që të mos mbes vetëm. Muzika teatri edhe opera duhet që të bashkëpunojnë”, përfundon balerini.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?