Sociale
Drejt Punës

Nga Skrapari në Myzeqe, çobani që shtegton me dele rrëfen sfidat: Qumështi shitet me 100 lek për litër, nëse s’ndërhyn shteti, blegtoria mori fund

22 Shkurt, 16:13| Përditesimi: 22 Shkurt, 16:34

  • Share

Prej 20 vitesh, Ylli Koromani dimëron me tufën e deleve në zonën e Myzeqesë. Bariu nga Skrapari çdo natë dimri e kalon jashtë në fushë me 300 krerë bagëti. Ai tregon për Report TV se shtegtimi nga Skrapari drejt Kurjanit të Roskovecit është sfiduese. Pavarësisht se ka përfituar subvencione, gjendet në kushtet e mbijetesës.

“Kam qenë fillimisht në Kthesën e Patosit, qendrova 5 vjet. Më pas në Hoxharë 6 vjet dhe 9 vite po bëj këtu në Kurjan. Kemi pas dëme, sidomos në Hoxharë nga përmbytje dhe nuk u dëmshpërblem. Këto tre vitet e fundit janë rritur çmimet për misrin, jonxhën, kurse çmimi i mishit dhe qumështit është i ulët. Subvecioni që na jep shteti është 1200 lek për kokë dele në vit. Shumë kjo e pamjaftueshme”, tha ai.

65- vjeçari i cili ka marrë me qera 20 ha tokë,  pohon se baza ushqimore është e shtrenjtë, ndërsa cmimi i qumështit tepër i ulët. Sipas tij baxhot e bulmetit e kanë ulur ndjeshëm çmimin e grumbullimit të qumështit, nga 170 lekë pęr litër në 100 lekë për litër duke i sjellë atij dhe blegtorëve të tjerë vështirësi të mëdha financiare.

“Mundimi është i madh për të mbarështuar bagëtitë. Nëse vazhdon kështu qumështi me 100 lek për litër, do t’i heq fare se nuk kam leverdi. Çmimi i djathtit ka shkuar me 1400 lek për kg, ndërsa qumështi shitet me 100 lek për litër”, shprehet më tej për Report TV.

Po kështu ankohet se bagëtitë preken nga sëmundje të ndryshme për të cilat Autoriteti Kombetar i Veterinarise nuk i jep asnjë ndihmë apo këshillë për trajtimin e tyre.

“Përveç të tjerave blegtoria ka sëmundje, por veterineret e shtetit nuk merren fare. Ne shkojmë vetë në farmaci marrim ilaçet dhe ua bëjmë”, tha ai.

Shtegtimi është një traditë shekullore ku barinjtë kalojnë muaj apo vite larg shtëpisë për të ushqyer bagëtitë, por fitimi është i ulët krahasuar me vështirësitë. Bariu nga Skrapari apelon Qeverinë për ndërhyrje konkrete që mund të shpëtojnë këtë sektor jetik.

“Këtu tek ne blegtoria po shkon drejt zhdukjes se çmimi i qumështit e mishit është i ulët. Edhe unë që kam 20 vjet me këtë punë do t’i heq se nuk ka asnjë punëtor. Subvecionet nuk mjaftojnë. Nëse shteti vë dorë do mbeten këto që janë në të kundërt dhe këto do shiten, s’do i mbajë më njeri”, tha ai.

Rënia e numrit të krerëve në blegtori është një tregues shqetësues. Sipas Instat në vitin 2023 blegtoria shënoi një ulje vjetore prej 13%, ndërkohë që krerët u përgjysmuan gjatë dekadës së fundit.

R.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • tini: 22/02/2025 19:21

    shteti nuk nderhyn ,,,sepse vjedh o coban....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?