Nga sot bankat tregtare në vend nuk mund të japin kredi 100% për qytetarët që duan të blejnë një shtëpi. Vendimi i marrë më 7 maj nga Banka e Shqipërisë nis zbatimin këtë 1 korrik dhe kufizon kredidhënien për blerje banese në disa tavane.
Kur kredia kërkohet në lekë për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%.
Kufizimi tjetër i caktuar nga Banka Qendrore është për këstet mujore të kthimit të kredive. Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa për kredinë e dytë etj. ulet në 35%.
Kurse për huanë në valutë tavanet do të jenë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë. Sa u përket kësteve mujore, ato do të jenë sa 35% e totalit të të ardhurave të individin për huanë e shtëpisë së parë, dhe 30% kur është kredi për të blerë një pronë të dytë apo më shumë.
Për të mos tkurrur kreditimin, në vendim i është lënë një hapësirë bankave që të japin kredi edhe përtej tavaneve të caktuara në vendim por vetëm duke dhënë një arsyetim të detajuar dhe të bazuar, mbi këtë financim.
Përtej synimit për të kthyer në ‘normalitet’ çmimet e pronave, pasi Banka gjykon se është nxitur nga rritja e kreditimit, tavanet janë masë edhe për mbrojtur bankat nga ekspozimi në tregun e pronave të patundshme pasi një rënie e të ardhurave të qytetarëve, ekspozon drejt rreziqeve bankat.
Në fund të vitit 2024 totali i kredisë së dhënë për blerje banesash sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë kaloi 2 miliardë euro, nga 1.8 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2023.
Komente
