Nga sot, më 9 korrik, kombëtarja shqiptare e futbollit është zyrtarisht pa trajner. Sylvinho-s i ka skaduar kontrata dhe mgjithëse është thënë shumë herë se do rinovonte ende mungon e zeza mbi të bardhë.
Duke nisur nga janari braziliani ka patur në tavolinë kontratën e re 2-vjeçare, por në të gjitha rastet ka shtyrë rinovimin. Sipas Sylvinhos në atë periudhë ishte më e rëndësishme përgatitja për Evropianin sesa kjo çështje.
Për herë të fundit Sylvinho ishte në Shqipëri më 25 qershor, pas eliminimit të kombëtares në Evropian. Atë ditë braziliani u shpreh se do diskutonte rinovimin pas pushimeve, që ai po i kryen në Portugali ku ka edhe familjen.
Nuk përjashtohet mundësia që zyrtarët e federatës janë duke menduar për pasardhësin e brazilianit, ndërsa emri i Sylvinhos është përmendur në Spanjë dhe Brazil për të vijuar karrierën. 50-vjeçari firmosi me Shqipërinë 9 janar të 2023 një kontratë për 1 vit e gjysmë nga e cila përfitoi një pagë 1.1 milionë euro në vit bashkë me dy ndihmësit Pablo Zabaleta dhe braziliani tjetër Doriva.