Nga sot në ‘vrapin’ e fundit për një vend në BE, si nisi rrugëtimi i Shqipërisë! 15 vite nga MSA, refuzimet, sukseset dhe reformat e thella

15 Tetor, 17:02| Përditesimi: 15 Tetor, 17:17

  • Share

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt një vendi prej të barabarti në tryezën e Bashkimit Evropian, mund të thuhet se aktin e parë ka thirrjet “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa” në protestat e studentëve që rrëzuan komunizmin dhjetorin e vitit 1990. Por do të duheshin të kalonin disa vite që Shqipëria mes tranzicionit, në kërkim të demokracisë, të evidentohej si një kandidate e mundshme për në Bashkimin Evropian. 

Rrugën e re, deri në atë kohë të panjohur për Shqipërinë, e hapi Samiti i Selanikut në vitin 2003, kur e ardhmja e vendeve të rajonit u projektua qartë, anëtarësimi në Bashkimin Europian.  Shqipëria do të hidhte hapa më konkretë me firmosjen e marrëveshjes së parë në Luksemburg, atë të Stabilizim Asocimit në vitin 2006, që do ta angazhonte vendin në një rrugë të gjatë reformash e përmirësimesh.

3 vite më pas, në 2009-ën, Shqipëria ende pamëkëmbur nga rënia e sistemit dhe me sytë drejt perëndimit, dorëzon kërkesën e parë zyrtare për anëtarësim në BE, por shijen e vërtetë të lirisë evropiane shqiptarët e provuan vetëm në dhjetorin e vitit 2010-tën me liberalizimin e vizave.

Shqipëria duhej t’i nënshtrohej një sërë reformash në gjyqësor e administratë publike si dhe të rishikonte rregulloren e procedurave parlamentare, për të fituar zyrtarisht statusin e vendit kandidat, që e mori 5 vite pas aplikimit, në qershor të 2014-ës.  

Reforma në drejtësi e cila solli një drejtësi të re si kërkesë e komunitetit ndërkombëtar, reformë e thellë e paprecedentë në asnjë nga vendet e tjera, shënoi një hap shumë të madh të vendit në plotësimin e detyrimeve të Brukselit për shtet ligjor dhe luftë ndaj pandëshkueshmërisë.

Por hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë do të ishte sërish kalvar, mes tre refuzimeve të njëpasnjëshme nga liderët e vendeve të BE-së në Këshillin Evropian, pavarësisht rekomandimeve nga Komisioni se Shqipëria ishte gati.

Drafti i kuadrit negociator iu prezantua shteteve anëtare në vitin 2020, dhe vetëm në 2022-shin, për Shqipërinë pati dritë jeshile, ulja në konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian më 19 korrik të këtij viti.

Tryeza e parë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të përcaktonte kuadrin negociator dhe do linte detyrat për një analizë të hollësishme të legjislacionit shqiptar, i cili duhet përshtatur e përafruar me atë të Evropian.

Tashmë që Shqipëria edhe nga Brukseli zyrtar konsiderohet se i ka përmbushur një pjesë të mirë të reformave e ka bërë progres të dukshëm, ulet në tryezën e dytë ndërqeveritare, në atë të 15 tetorit 2024, që i hap rrugë diskutimeve të kapitujve themelorë si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik, si dhe reforma e administratës publike.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?