Nga sot qytetarët shqiptarë hyjnë lirisht në Kosovë, nuk ka test anti-COVID dhe as vetëizolim! Ministri i Shëndetësisë shpërndan maska falas (VIDEO)

8 Qershor 2020, 08:27| Përditesimi: 8 Qershor 2020, 13:41

  • Share

Duke nisur nga dita e sotme, të gjithë shqiptarët që shkojnë në Kosovë do të kalojnë kufirin lirisht, duke mos hasur asnjë pengesë. Qeveria e re e  Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Avdullah Hoti mori vendimin që asnjë udhëtar nuk do t'i nënshtrohet vetëkarantinimit, madje nuk do t'u kërkohet as testi, kushte të vendosura nga qeveria "Kurti".

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, tha se qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në Kosovë vetëm do t'i nënshtrohen kontrolleve të detajuara mjekësore. Ndërsa sot teksa inspektoi punën në këtë pikën kufitare të Morinës, ai shpërndau maska për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë.

Më 1 qershor Kosova hapi kufirin me Shqipërinë, por me dy kushte, testin e COVID- it  dhe vetë izolimin prej 7  ditësh, çka solli reagimin e qytetarëve të Shqipërisë të cilët gjatë javës që lamë pas priten në orë të tera në  kufi për të hyrë në Kosovë. Ato kishin vendosur edhe një takse prej 22 euro për kamionët, por që u hoq për shkak të kundërshtimeve të shumta nga ana e kompanive. Mirëpo, nga e hëna, kjo bllokadë do të marrë fund për të gjithë shqiptarët. 

Ora 09:52
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës mesazh qytetarëve shqiptarë: Respektoni masat anti-COVID (VIDEO)

Ndërkohë në një mesazh drejtuar të gjithë udhëtarëve, ministri Zemaj kërkoi respektimin e masave të vendosura nga autoritetet e Kosovës.

"Do t'i kisha lutur të gjitha atyre që hyjnë në Kosovë dhe juve të përçoni mesazhin për respektimin e masave të vendosura nga qeveria e Kosovës", u shpreh Zemaj.  

Ora 09:41
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës shpërndan maska falas për udhëtarët shqiptarë (VIDEO)

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ishte sot në pikën kufitare të Morinës, për të inspektuar nga afër punën pas heqjes së karantinës. Ajo që ra në sy ishte veprimi i ministrit, i cili shpërndau maska falas për të gjithë udhëtarët që hynin në Kosovë dhe nuk e kishin një të tillë. Ky veprim është edhe një sensibilizim për të gjithë qytetarët, të cilët me heqjen e masave kufizuese duhet të jenë të ndërgjegjësuar për t'u ruajtur nga përhapja e koronavirusit.

Ora 09:31
Pas heqjes së karantinës në Kosovë, fluks udhëtarësh në pikën kufitare të Morinës (VIDEO)

Pasi Kosova hoqi masat për udhëtarët, ditën e sotme pika kufitare e Morinës i është rikthyer normalitetit. Pala kosovare dhe ajo shqiptare operojnë vetëm me kontrollin e dokumenteve të identifikimit. Fluksi i lartë i qytetarëve ka bërë që të krijohen radhë të gjata që në orët e para të mëngjesit. Në pikën kufitare ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, i shoqëruar nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, kryeinspektorja shëndetësore, Nora Krasniqi  dhe kryeinspektori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, Ibrahim Tërshnajku.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?