Pas zyrtarizimit të Kevin De Bruyne si përforcimi i parë madhor i verës, Napoli po synon një tjetër yll të futbollit evropian. Sipas raportimeve nga media spanjolle 'Fichajes', kampionët e Italisë janë në bisedime për të transferuar Thomas Muller. Ky i fundit do të largohet nga Bayern Munich pas 17 vitesh në ekipin e parë dhe 25 vite gjithsej me klubin bavarez.
36-vjeçari ka njoftuar largimin e tij nga Bayern në prill, duke bërë të ditur se klubi nuk dëshironte t’i ofronte një kontratë të re. Lamtumira do të bëhet zyrtare pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, ku ai do të mbajë për herë të fundit fanellën e skuadrës së vetme profesionale në karrierën e tij.
Edhe pse për të është folur shumë për një aventurë të mundshme në MLS, një transferim në Serie A dhe konkretisht te Napoli duket gjithnjë e më real. Për klubin e drejtuar nga Aurelio De Laurentiis, afrimi i sulmuesit do të ishte një përforcim me përvojë të jashtëzakonshme.
Muller është në gjendje të mirë fizike dhe nuk ka pësuar asnjë dëmtim serioz që nga shtatori i vitit 2023, kur humbi një ndeshje të Kupës së Gjermanisë për shkak të një shqetësimi muskulor. Kjo është një dëshmi e qartë e gatishmërisë së tij për të vazhduar në nivele të larta.
Për momentin gjithçka mbetet në kuadër të zërave të merkatos, por pritet që pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, situata të qartësohet dhe të ketë zhvillime konkrete në lidhje me të ardhmen e Muller.
Komente
