Humbjet në dy miqësoret e fundit nuk janë shqetësimi i vetëm për trajnerin e kombëtares Sylvinho. Kjo sepse, kur ndodhemi afërsisht dy muaj larg kampionatit Evropian, kuqezinjtë po aktivizohen shumë pak me ekipet e tyre.
“Është një fakt që ka lojtarë që nuk aktivizohen rregullisht me klubet e tyre dhe është një problem. Do të doja që të gjithë të aktivizoheshin dhe të kishin sa më shumë minuta. Kur lojtarët kanë minuta me klubet e tyre janë më në formë. Nuk mund të them që nuk jam i shqëtesuar, por shpresoj që në vazhdimësi situata të ndryshojë,”-u shpreh trajneri i Kombëtares Sylvinho para dy ndeshjeve miqësore me Kilin dhe Suedinë.
Problemi me minutat në kombëtare nis që nga porta, ku Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha thuajse nuk aktivizohen fare me klubet e tyre. Në repartin e mbrojtjes është disi më mirë, pasi Mitaj dhe Gjimshiti aktivizohen rregullisht titullarë, ndërsa Ismajli dëmtohet shpesh. Ajeti dhe Kumbulla janë gjithashtu lojatrë të cilët vuajnë dëmtimet, ndërsa Hysaj prej kohësh e ka humbur statusin e lojtarit formacion te Lazio.
Në mesfushë përjashto Ylber Ramadanin te Lecce, Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami preferon gjithmonë si zëvendësues në gjysmën e pjesës së dytë. Më mirë Qazim Laçi, i cili është titullar në Çeki, por që nuk e ka këtë status në kombëtare.
Sa i përket sulmit më së shumti vuajnë Asani dhe Broja, të cilët kanë përplasje me klubet e tyre dhe janë të përjashtuar. Lojtarët titullarë në këtë repart me ekipet e tyre janë Seferi, Cikalleshi, Uzuni dhe Muçi, por këto dy të fundit nuk preferohen në 11-she nga Sylvinho. E njëjta gjë mund të thuhet deri diku për Mirlind Dakun, i cili në 3 ndeshjet e fundit ka qenë titull me Rubin Kazanin në Rusi.