Dikur në Prezë, puna në tezgjah ishte pjesë e përditshmërisë së çdo gruaje. Sot, artizanet numërohen me gishtat e dorës.
Drita Gordi është ndër të paktat që i jep jetë kësaj tradite të çmuar.
“E kam filluar që fëmijë. Punonte mami im, tani unë punoj përparëse, peceta, çarcafë, mbulesa sipas kërkesave të klientëve.
E kam pasion si zanat, është i bukur, ka shumë vështirësi, por mua më pëlqen. Dua t’ia trashëgoj edhe vajzës time. Punoj përditë edhe nëse nuk kam porosi.”
Puna në tezgjah është më shumë se një zanat për të, është pasion, terapi dhe burim të ardhurash.
“Në fillim ishte pasioni, pjesa tjetër ishin të ardhurat. E kam anti-stres. Duke numëruar fijet më ikin të gjitha mendimet që kam, sikur më çlirohet truri. Ka shumë turistë që vijnë, shohin dhe u duket e çuditshme sesi një fije peri bëhet copë. Kanë qejf të keni një copëz nga Preza.”
Përveç endjes, Drita ka një tjetër pasion: koleksionimin e sendeve të vjetra. Për të janë thesare që rrëfejnë histori.
“Kam ruajtur govatën që laheshin rrobat dikur ose govatat që bëhej vaji i ullirit, valixhet që shërbenin për pajat e nuseve, kazan rakie, radio, tv të vjetër, dollap për të pjekur kafe.
Me gjithë këto gjëra që unë kam mbledhur, kam dëshirë që me kalimin e kohës të hap një mini muze, mbase turistëve u pëlqen ta vizitojnë. Rinia duhet t’i shohë që të kuptojë si kemi jetuar ne më parë. Duhet të ruhet trashëgimia kulturore sepse trashëgimia e vendit nuk është asnjëherë e vjetër.”
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00, në ekranin e Report Tv.
Komente
