Korçë- Policia lokale e Korçës njoftoi sot (18 Tetor) se ka goditur një grup të vjedhjeve të mjeteve motorike.
Dy persona janë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Repeat”, teksa hetohet për bashkëpunëtorët e tjerë të dyshuar. Një prej të ndaluarve mësohet se ka qenë në kërkim nga Policia e Tiranës, po për vjedhje të mjeteve motorike.
Sekuestrohet dhe një motomjet i dyshuar i vjedhur. Të arrestuarit janë V. B., 35 vjeç dhe L. R., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë. Policia publikoi edhe pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, të vjedhjes së një prej motorëve, ku shfaqen dy shokët shfaqen të hipur në mjet duke u larguar.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 16 tetor, kanë vjedhur motomjetin e 69-vjeçari, në fshatin Melçan, ndërsa më datë 13 tetor (tre ditë para), kanë vjedhur motomjetin e një 16-vjeçari, në qytetin e Korçës”, tha policia vendore.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi L. R. ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 2 Tiranë, si i dyshuar për vjedhjen e disa motomjeteve. Ndaj të rinjve rëndon akuza e “vjedhjes”, e kryer në bashkëpunim.