Luke Williams dhe puna e tij në aeroport

Sport

Nga trajner në disa klube elitare te puna në aeroport! Luke Williams, njeriu që na mëson vlerën e përulësisë

24 Qershor, 12:39| Përditesimi: 24 Qershor, 12:42

  • Share

ANGLI - Ish-trajneri i Swansea City dhe Notts County, Luke Williams, po përjeton një kapitull të pazakontë në karrierën e tij. Larg shkëlqimit të stadiumeve dhe pranë njerëzve në nevojë, ai është punonjës në aeroportin e Bristolit (Angli). Aty ai ndihmon pasagjerët me aftësi të kufizuara dhe lëvizshmëri të kufizuar, duke treguar një shembull të rrallë të përulësisë dhe karakterit njerëzor.

Dikur në stolat e Championshipit, sot me një jelek të verdhë në pistën e aeroportit, Williams vazhdon të përçojë mesazhin e tij të pandryshuar; puna është nder dhe çdo rol ka dinjitet.

Nga ngarkimi i kamionëve, në fushat e futbollit

Përpara se të hynte në botën e trajnimit, Williams ka punuar në çdo detyrë që i ofrohej, nga ngarkimi i kamionëve, drejtimi i minibusëve, deri tek punët fizike që kërkonin përkushtim ekstrem. “Ka pasur ditë kur kam punuar 20 orë, flija tre ose katër dhe kthehesha sërish”, ka rrëfyer ai më herët për ‘The Guardian’.

Kjo etikë e palodhur pune ishte baza e suksesit të tij në futboll, ku arriti të drejtojë ekipe si Swindon Town, Notts County dhe së fundmi Swansea City, para shkarkimit të tij në shkurt të këtij viti.

“Nuk di të rri pa punuar”

Pas largimit nga Swansea, ndërkohë që pret një mundësi të re në futboll, Williams ka zgjedhur të mos rrijë duarkryq. Angazhimi i tij në aeroport nuk është i motivuar nga nevoja financiare, por nga dëshira për të qenë i dobishëm dhe aktiv. “Jam i varur nga puna”, është shprehur ai, një qëndrim që e dallon në një botë ku shpesh krenaria zë vendin e përulësisë.

Një foto që qarkulloi së fundmi në rrjetet sociale e tregonte me uniformë aeroporti, duke ndihmuar pasagjerë në nevojë. Komentet ishin të shumta, nga habia, deri tek lavdërimet, por për Williams, kjo është thjesht një vazhdimësi e rrugëtimit të tij.

Mësim për të gjithë

Në një kohë kur shumica luftojnë për famë, pushtet apo përfitime, Luke Williams jep një mësim të thjeshtë, por të fuqishëm; nuk ka punë të ulëta dhe njeriu nuk matet me titujt që mban, por me vlerat që përfaqëson.

Ndërsa bota e futbollit pret kthimin e tij, ai vazhdon të shërbejë me të njëjtin pasion, këtë herë jashtë fushës, por me ndikim po aq të madh.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?