Nga presidenti amerikan Donald Trump, tek Vladimir Putin dhe Volodomyr Zelensky, më shumë se 400 personazhe përcollën mesazhe në Bulevardin ‘Republika’ të Korçës, në parakalimin e edicionit të 18-të të karanavaleve.
Në paradën e mbi 35 trupave pjesëmarrëse, nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria e Polonia, Korça u shndërrua në një skenë mahnitëse ngjyrash, muzikës dhe kostumeve të veçanta.
Kostumet e kuruara deri në detaj, vijnë të frymëzuara nga mitologjia, folklori apo tema bashkëkohore dhe të aktualitetit.
“Është më mirë se çdo vit tjetër. Kemi 6 grupe të huaja, 22 grupe korçare, 10 grupe të reja që kemi krijuar. Kemi 60 kostume të reja që nuk i kemi pasur. Gëzuar Karnavalet nga Korça”, tha një qytetare.
Një fotoalbum me detajet pikante të Karnavaleve u publikua edhe nga kryeministri Edi Rama. Karnavalet e Korçës, të konsideruara tashmë si një ndër ngjarjet më të spikatura të jetës kulturore të qytetit, jo vetëm që ruajnë një traditë të hershme, por edhe forcojnë lidhjet ndërkulturore përmes artit, festës dhe pjesëmarrjes së gjallë të komunitetit.
Komente
