Para Konklavës së vërtetë, atë të Kardinalëve të mbledhur për të zgjedhur Papën e ri, të shtunën në Romë do të mbahet një “konklavë e politikës: e liderëve të mëdhenj botërorë, të cilët do të jenë në qytetin e shenjtë për varrimin e Papa Françeskut. Shumica e liderëve botërorë do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit solemne në Vatikan, si shenjë respekti për kreun e një Kishe që, siç kanë thënë shumë prej tyre në mesazhet e ngushëllimeve, ka arritur të bashkojë komunitetin ndërkombëtar edhe përtej katolikëve, duke shpërndarë mesazhin e saj për mbrojtjen e të varfërve dhe të shtypurve. Do të jenë kaq shumë liderë të botës, sa është më e lehtë të thuash kush do të mungojë.
Nuk do të jetë Vladimir Putin, megjithëse ai ka shprehur vlerësim për Bergoglion në mesazhin e tij pas ndarjes nga jeta, dhe arsyeja është e thjeshtë: ai rrezikon të arrestohet për shkak të një urdhri arresti për krimet e luftës të kryera nga trupat e tij në Ukrainë, të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, një gjykatë e njohur nga Italia, e cila do të ishte e detyruar të zbatojë aktet e saj. Dhe nuk do të jetë as kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, me një vendim të kritikuar shumë, dje urdhëroi të gjitha zyrat diplomatike të shtetit hebre jashtë vendit të fshinin një postim ngushëllimi për Françeskun. Pjesëmarrja e presidentit kinez Xi Jinping është gjithashtu e pasigurt: Vatikani ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Pekinin. Dhe nuk do të jetë as lideri spanjoll Pedro Sánchez, i cili do të zëvendësohet nga dy nënkryeministrat e tij.
Do të jenë praktikisht të gjithë të tjerët. Shumë, siç konfirmoi dje ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi: “Po vijnë 170 delegacione të huaja”. Në rreshtin e parë, pritet të jetë Donald Trump, i cili e ka njoftuar këtë në rrjetet sociale: “Unë dhe Melania do të jemi në varrim”. Në të vërtetë, mënyra se si e ka shpallur këtë shkakton disa ironi: një faqe britanike satirike, "A normal island", thekson përdorimin nga ana e presidentit amerikan të shprehjes “We look forward to” (ne mezi presim), që është e përshtatshme për një ftesë në darkë, një ditëlindje, një dasmë, por krejtësisht e papërshtatshme për një funeral.
Por nuk është një gabim i qëllimshëm: thjesht, kur komunikon pa një tekst të përgatitur nga ndihmësit e fjalimeve, Trump nuk di të shprehet. Do të jetë presidenti argjentinas Javier Milei: ai nuk kishte marrëdhënie shumë të mira me Bergoglion, por Papa ishte gjithsesi një argjentinas dhe Milei do të kujdeset të jetë aty. Do të jetë presidenti brazilian Lula, një nga liderët e Jugut Global dhe të majtës latine-amerikane (Lula ka qenë gjithashtu në varrimin e Papës Woytila në vitin 2005). Nga Evropa do të jetë presidenti francez Emmanuel Macron, kreu i një prej shteteve katolike më të mëdha të kontinentit. Do të jetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, megjithëse në Kiev shumë e kritikonin papën për vlerësimet e tij mbi arsyet e luftës.
Përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar do të jetë princ Ëilliam, pasardhësi i fronit: mungesa e mbretit Charles, kreu i Kishës anglikane, është më se e justifikuar, jo vetëm sepse ai ishte lideri i fundit (para zëvendëspresidentit amerikan Vance) që u takua me Papën në fillim të prillit në Vatikan, por gjithashtu sepse mbreti është duke u përballur me një sëmundje, kancerin, për të cilin ka filluar trajtimin para pak më shumë se një viti. Kur priti kryeministrin e Zelandës së Re, dje mbreti mbante një kravatë të zezë si shenjë zie. Bashkë me Ëilliamin, në varrimin e Papës do të jetë dhe kryeministri britanik Keir Starmer. Mes mbretërve të tjerë europianë do të jenë të pranishëm në ceremoninë e varrimit gjithashtu mbreti Felipe i Spanjës me mbretëreshën Letizia dhe mbreti Filipi i Belgjikës me mbretëreshën Matilde. Dhe do të jenë, mes të tjerëve, Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian; presidenti gjerman Steinmeier me kancelarin në ikje Olaf Scholz; presidenti polak Duda; përveç natyrisht presidentit italian Sergio Mattarella dhe kryeministres Giorgia Meloni. Dhe deri të shtunën, lista e “konklavës të politikës” mund të zgjerohet edhe më shumë./La Repubblica
Komente
