Artisti që shfaqet në këto pamje duke pikturuar portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut është turk. Performanca e Atanur Dogan në galerinë “Fab” risiellet si ‘dejavu’ pas 5 vitesh, po me rastin e ekspozitës së Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit. Portreti i të moshuarit që ai propozon këtë vit për ekspozitën, është një nga 50 punimet pjesëmarrëse në Festival.
Edhe Jose Depaz nga Peruja, është një nga artistët që rikthehet në këtë ngjarje të akuarelit. Shumica prej tyre kanë të ekspozuar nga një vepër. Përpos teknikës në akuarel, ose miks, tematikat janë të lira. Dikush ka zgjedhur portretin, të tjerë peizazhin, më pak vepra abstrakte. Nga Ukraina, ku agresioni rus ka ndryshuar shumëçka, edhe buzëqeshjen e fëmijëve, propozohet kjo pikturë që Ihor Yurchenko ka realizuar në vitin 2016-të.
Nga tri sallat e galerisë “Fab”, në dy prej tyre janë veprat e kuratorit Helidon Halitit. Në to ai sjell “Shqipërinë në akuarel”, të frymëzuar nga udhëtimet e tij, apo edhe fotografi që i kanë tërhequr vëmendjen.
Ekspozita e Festivalit në këtë edicion të 5-të qëndron e hapur në “Fab” deri në 10 maj.