'Rikthimi', një dokumentar i ri sjell historinë frymëzuese të Jannik Sinner, tenistit italian që ka kaluar nga një fshat i vogël malor në Italinë e Veriut deri në majën e renditjes botërore. Në prill 2025, gjatë një periudhe pezullimi të detyruar, Sinner u shfaq duke u stërvitur në Montecarlo, ndërsa tregoi se forca mendore është arma më e madhe për një sportist elitar.
“Edhe unë kam dyshime sa herë hyj në fushë, por më kujtohet puna që kam bërë dhe besoj se jam i aftë të fitoj”, rrëfen ai.
Dokumentari ndalet në momentet vendimtare të karrierës së tij, që nga triumfi i parë në një turne Challenger në vitin 2019, te sukseset madhore në ATP. Një nga episodet më të vështira ishte lajmi për një rast dopingu të lidhur me fizioterapistin, por gjykata e shpalli të pafajshëm. “US Open 2024 ishte shumë i vështirë. Ishte moment i rëndë, por ia dola dhe fitova”, kujton Sinner.
Pamjet tregojnë edhe fëmijërinë e tij të thjeshtë, babai kuzhinier, nëna kameriere, ndërsa Jannik filloi me ski dhe futboll përpara se të zgjidhte tenisin. Vendimi i madh erdhi në moshën 13-vjeçare, kur u largua nga familja për t’u bërë profesionist.
“Kam lindur në një familje të varfër. Babai im ishte kuzhinier, ndërsa mamaja punonte si kameriere në të njëjtin restorant. Në zonën ku u rrita, skitë ishin sporti më i rëndësishëm. Unë bëja shumë ski, luaja futboll dhe pak tenis. Por isha më i mirë me raketë se sa me ski. Në ski, nëse bën një gabim, nuk mund të fitosh më. Në tenis mund të bësh shumë gabime dhe prapë të fitosh ndeshjen", tha Jannik.
Trajnerët Simone Vagnozzi dhe Darren Cahill e shfaqen të bindur se ai do të kthehet edhe më i fortë.
“Nëse bëhesh një njeri më i mirë, bëhesh edhe një atlet më i mirë”, thotë Cahill.
Dokumentari mbyllet me kthimin e tij në fushë, finalja e humbur në Roland Garros kundër Carlos Alcaraz dhe më pas triumfi historik në Wimbledon, që e ktheu ëndrrën e fëmijërisë në realitet.
“Po jetoj ëndrrat e mia. Të kem këtë trofe me mua do të thotë shumë”, deklaron me emocion numri 1 i botës.
Jannik me të atin
Komente
