Fieri është një nga zonat më të prekura nga “Ethet e Nilit”, kjo për shkak se mushkonjat infektuese kanë gjetur habitat në kanale kulluese apo vende të tjera me ujë të ndotur. Shefja e Epidemiologjisë, Anila Moçka shprehet se nuk ka vatra epidemiologjike, por raste të shpërndara në disa fshatra të ndryshëm të këtij qarku.
Moçka këshillon qytetarët që të bëjnë kujdes me ujin e ndotur apo të ndenjtur, që përbën rrezik për shtimin e popullatës së mushkonjave. Ajo thotë se amvisat duhet të mos i lënë vazot e luleve me shumë ujë në ballkon, ndërsa pushteti lokal duhet të tregojë kujdes me pastrimin e kanaleve por dhe lavazhet e makinave.
Ethet e Nilit u rikthyen në vendin tonë pas 13 vjetësh duke shkaktuar deri tani 3 të vdekur dhe 17 të infektuar. Në mesin e të infektuarve janë dhe tre pacientë nga qarku i Fierit, të cilët po marrin mjekim në spitalin Infektiv të QSUT-së. Shefja e shërbimit epidemiologjik në Fier Anila Mocka tha se gjendja e pacientëve është e qëndrueshme. Po kaq dy persona të tjerë nga Fieri janë të dyshuar me “Ethet e Nilit dhe pritet konfirmimi i analizave nga ISHP-ja.
Personat e infektuar me virusin e Nilit Perëndimor shfaqin shenja si ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike. Shenjat e sëmundjes së rëndë si meningiti ose paraliza flakside akute përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, gjendje kome dhe konvulsione. Nuk ka vaksina për ta parandaluar dhe as trajtim specifik për sëmundjen që prek sistemin nervor, shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Trajtimi është vetëm mbështetës dhe simptomatik.