Nga viti 1960 në ditët e sotme, ekspozohen për herë të parë 100 vepra të Bujar Zajmit, e bija: Është një artist ende i pazbuluar

14 Korrik 2022, 20:53| Përditesimi: 14 Korrik 2022, 21:03

  • Share

“Bzan me diellin” në 100 vepra të ekspozuara për herë të parë. Bujar Zajmi rikthehet në kuadër të datëlindjes së 83-të në Galerinë e Tiranës, e thërret pa zhurmë publikun drejt artit të tij, të shënuara nga drita.... E bija, Anila Zajmi kuron ekspozitën, me veprat që piktori i zgjedh vetë dhe krijohet narrativa e një krijimtarie që shtrihet në mbi 6 dekada... duke nisur prej fundit të viteve ’50. Nga ajo kohë, siç rrëfen artistja veprat që ai i mbajti të fshehta, janë të shumta e arrijnë në mbi 7000 mijë punime...

“Veprat e babit kanë qenë të fshehura, sepse kishte një drejtim krejt të kundërt me regjimin, ideologjinë e atëhershme. Kështu që babi me koshiencë ka bërë punë të vogla të cilat ishin të mundura të fshiheshin në dosje, që të mos i shikonin të tjerët”, thotë artistja Anila Zajmi.

Grafika, kolazhe, piktura në vaj e akrilik, teknikat e përdorura nga piktori janë të larmishme, e në to spikat stili avangard që e karakterizon... Një sërë tematikash, ku ngrënë krye detaje të etnografisë, portrete e personazhe, largimi nga esenca e jetës prej tërheqjes së teknologjisë, ironia për njerëzit e pushtetit me kularë, e shqetësimi i tij mbi artin... ku lëndën e parë e merr në Shqipërinë e tij.

“Megjithëse unë këtu jam përpjekur të mos zgjedh vepra që janë shumë të lidhura me natyrën, këndvështrimin e tij patriotik, përsa i përket jetës shqiptare, historisë etj., sërish ajo del në pah, sepse ai e ka në ADN këtë pjesë dhe ajo del në forma të ndryshme. Por, kryesorja është se ai i këndon jetës, njeriut e optimizmit”, shton Zajmi.

Vepra e Bujar Zajmit siç rrëfen e bija, ruhet në shtëpinë studio të tij, në një habitat material e shpirtëror të mbushur me art e sende familjare...

“Pra, është një artist, piktor grafist akoma i pazbuluar të cilin duhet punë edhe kohë të ekspozohet ashtu si e meriton”, thotë artistja.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?