Republika e vetëshpallur e Nagorno-Karabakh njoftoi sot shpërbërjen e të gjitha institucioneve të saj nga 1 janari 2024, një javë pas sulmit të suksesshëm nga Azerbajxhani dhe pas 30 vitesh konflikt.
Në një dekret të liderit të kësaj enklave, Samvel Sahramanyan shpallet shpërbërja e “të gjitha institucioneve dhe organizatave qeveritare më 1 janar 2024” dhe thuhet se, si rezultat, “Republika e Nagorno -Karabakh pushon së ekzistuari”.
Separatistët armenë në Nagorno-Karabakh javën e kaluar pësuan një disfatë ushtarake brenda 24 orëve që i detyroi ata të kapitullonin ndaj Azerbajxhanit, vendit nga i cili u shkëputën kur BRSS u shemb më shumë se tre dekada më pare, raporton agjencia e lajmeve abcnews.go.
Armenia, e cila e mbështeti këtë territor për dekada, këtë herë nuk ndërhyri ushtarakisht, duke i hapur rrugën riintegrimit të këtij rajoni në Azerbajxhan.
Popullsia armene e Nagorno-Karabakh ka filluar një eksod, ku rreth 65,000 njerëz, gjysma e afërsisht 120,000 banorëve të enklavës, janë larguar brenda disa ditësh nga frika se do të jenë në shënjestër të Azerbajxhanit, pavarësisht premtimeve të Bakut për të respektuar të drejtat e tyre.
Në dekretin për shpërbërjen e republikës së vetëshpallur, lideri separatist thekson se, pasi të bëhen të ditura kushtet e kthimit të rajonit nën kontrollin e Azerbajxhanit, banorët dhe refugjatët do të mund të “marrin një vendim individual për të qëndruar ose për t’u kthyer në Nagorno Karabakh”.