Dosje

Nga zhdukja e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut prej Koçi Xoxes deri te gënjeshtra e madhe komuniste shqiptare! Flet në Esencë Budjon Xhelo

4 Korrik, 21:59| Përditesimi: 4 Korrik, 22:11

  • Share

Hotel Dajti në vitin 1944, çlirimi i Tiranës, parada e 29 Nëntorit, largimi i gjermanëve dhe shkaqet për eleminimin fizik të Enver Hoxhës apo Mehmet Shehut prej Koçi Xoxes.  Si i njohu babai im udhëheqësit e kohës dhe cilat ishin parimet e shtetit shqiptar të atyre viteve?!

"Im atë ishte i pashkollë, por i ndershëm dhe i përkushtuar për shtetin", kështu e kujton babain e tij Budjon Xhelo, ish drejtor i Pallatit të Kulturës "Lasgush Poradeci" në Pogradec. Ai është rritur mes rrëfimeve të një ish partizani që mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, por që më vonë jetoi me brerje ndërgjegjeje për gjithçka kishte parë e përjetuar.

Llazi Xhelo ishte administrator i hotel "Dajtit" në Tiranë, nga çlirimi i qytetit deri në maj 1945. Më pas, shërbeu në pozicione të ndryshme në Gjirokastër, Durrës dhe kufirin juglindor, përpara se të punonte në minierë deri në pensionim. Në vitin 1991, në moshën 77-vjeçare, ai hodhi poshtë teserën e Partisë, një akt që solli përplasje të thella në familjen e tij.

Eljan Tanini: -Si e përjetoi babai juaj çlirimin dhe përfshirjen në drejtimin e Hotel “Dajtit”?

Budjon Xhelo: -Babai im u bë partizan në vitin 1942. Gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, ai shërbeu si intendent, duke siguruar ushqime dhe veshmbathje për partizanët. Pas çlirimit, iu besua administrimi dhe siguria e hotel "Dajtit", i cili asokohe strehoi udhëheqjen komuniste.

Eljan Tanini: -Çfarë kujtimesh ruante për atë periudhë? 

Budjon Xhelo: -Hoteli u gjet në gjendje të rëndë, me kufoma ushtarësh gjermanë të vrarë që nuk kishin mundur të tërhiqeshin gjatë largimit. Im atë, me ndihmën e partizanëve, i varrosi dhe pastroi ambientin. Kishte magazina me veshmbathje gjermane, por edhe pse kishte nevojë për këpucë për të vëllanë që kishte ardhur nga fshati, nuk pranoi të merrte asnjë pale, një shembull idealizmi që më ka lënë mbresa. 

Eljan Tanini: -Si i njohu figurat kryesore të kohës  Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe Koçi Xoxen? 

Budjon Xhelo: -Me Enver Hoxhën nuk kishte marrëdhënie të ngushta, e përshkruante të rezervuar. Ndërsa për Mehmet Shehun thoshte se ishte gjaknxehtë dhe hakmarrës, tregonte historinë e masakrës së Fushë-Aliajt si dëshmi e ashpërsisë së tij. Koçi Xoxen e konsideronte brutal dhe me mentalitet të ngushtë. Ishte një figurë që i përçmonte intelektualët dhe bënte dallime fetare.
Im atë kishte pasur mundësinë t’i njihte thuajse të gjithë. Me Enver Hoxhën nuk kishte komunikuar shumë. Interesohej vetëm për sigurinë e tij, ndërsa Mehmet Shehun dhe Koçi Xoxen i kishte njohur më nga afër. Sipas tij ata ishin aventurierë, hipokritë dhe hileqarë.
Koçi ishte teneqexhi nga Korça, fliste ndër njerëz dhe fshihej. Ju sjell një rast, që nuk zihet në gojë nga historianët, jo vetëm atëherë, por edhe tani. Në Plenumin XVIII të KQPPSH-së, i quajtur “Plenumi i Zi”, që u bë në Pallatin e Brigadave, tre të katërtat e plenumit ishin kundër Enver Hoxhës, ndërsa Mehmet Shehu, ministër i Punëve Botore, ishte përjashtuar nga Komiteti. 
Plenumi drejtohej nga Koçi Xoxe. Mehmet Shehu ka hyrë me automatik dhe ka nxjerrë nga salla Enver Hoxhën, e ka marrë me një gaz, duke kaluar pa u ndalur te rojet e vendosur nga Koçi Xoxe. Kështu që nuk u mor asnjë vendim për shkarkimin e Enverit. Pas tri ditësh erdhi letra e Stalinit që e shpallte Titon tradhtar dhe Koçi Xoxe u dënua. Këtë fakt nuk e tregon kush.  
¾ e pleniumit të zi ishin kundër Enver Hoxhës për sektarizëm. Mehmet Shehu donte të ngrinte për luftë Mallakastrën, nuk donte të priste ta arrestonte Koçi Xoxe.  

Eljan Tanini: -A kishte ndodhi që e tronditën gjatë shërbimit të tij?

Budjon Xhelo: -Po. Në Gjirokastër, ku shërbente si shef i Sekretarisë Sekrete, përjetoi vrasjen e komisarit Neim Lleshi, nip i Haxhi Lleshit, me urdhër të Koçi Xoxes. Ishte një atentat i maskuar si inspektim në terren. Babai im e përjetoi thellë këtë krim dhe e shihte si fillimin e një lufte të brendshme brenda radhëve të Partisë.

Eljan Tanini: -Po ngjarja me anijen që tentonte të arratisej? 

Budjon Xhelo: -Në vitin 1947, kur shërbente në kufirin detar, u kap një anije që nuk kishte arritur të largohej për shkak të mungesës së karburantit. Aty ishin 20 vetë, që u konsideruan si kolaboracionistë dhe me urdhër të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes u pushkatuan të gjithë. Ishte një nga episodet që i la më shumë plagë në ndërgjegje.

Eljan Tanini: Si vijoi jeta e tij pas kësaj periudhe? 

Budjon Xhelo: -U emërua në kufirin tokësor dhe më pas u lirua nga ushtria në vitin 1956, si shumë oficerë të tjerë, ndoshta për shkak të qëndrimeve të tij kundër linjës zyrtare. Më vonë punoi në minierën e Korçës, ku përballoi sfida të tjera, përfshirë edhe përçmimin nga punëtorë të "deklasuar" që e shihnin si ish-oficer të regjimit. 
Në vitin 1991 ai e hodhi teserën e Partisë dhe mbështeti ndryshimet demokratike. Ky akt nuk iu fal kurrë nga vëllai i tij, me të cilin nuk folën më për 11 vjet, deri në vdekjen e babait. Ai ishte thellësisht i zhgënjyer nga komunizmi dhe pranoi se shumë gjëra mund të ishin bërë ndryshe.

Eljan Tanini: Si e përjetoi ngjarjen e çlirimit dhe diskutimet për datën e tij? 

Budjon Xhelo: -Sipas tij, data 29 nëntor u zgjodh për të përkuar me çlirimin e Beogradit. Në paradën e organizuar me atë rast, përveç partizanëve, parakaloi edhe një togë robërish gjermanë, mes tyre dhe koloneli që ishte kapur në rrugën e Dajtit. Enver Hoxha komentoi i impresionuar mënyrën e marshimit të tyre, duke krahasuar me partizanët shqiptarë, që ishin fshatarë e çobanë.

Eljan Tanini: -Përse quhesh Budjon? 

Budjon Xhelo: -Emri im Budjon ka të bëjë më miqësinë Ruso-Shqiptare, Budioni ishte mik i Leninit dhe Stalinit, quhej Semion Budion. 
Unë duhet të mbaja edhe autoritetin e emrit më pas! Ishte viti 1976, në Durrës u bë një garë noti kur miqësia me Kinën mbahej me penicilina, kjo garë do të mbahej me rastin e kalimit të lumit Ian Ce nga Kryetari Mao, ndërkohë Astrit Omeri xhiron dhe prezanton notarët, aty del edhe emri i shqiptarit Sovjetik Zhupali! Kaq donin kinezët për emrin e tij, të nesërmen Ambasadori Fuqiplotë i Republikës së Kinës pritet në Qeverinë tonë nga Hysni Kapo, nuk e pret Enver Hoxha. 
Ambasadori Kinez u ankua në byro me fjalinë: Mbrëmë televizioni juaj ka dhënë një emision sportiv ku përkrah Liut del Sovjetik Zhupali. 
Ikën ambasadori, thërret Ramiz Alinë. Televizioni i kishte vënë në vështirësi, i ankohet Ramizi Marash Ajatit, Sovjetik Zhupali përballë kinezit nuk duhet të dilte me atë emër!  Kështu, Sekretari i Partisë në shkallët e televizionit tonë më thotë të ndryshoj emrin urgjent! Mirë i them, emri kapistall është! 
Nuk kaloi java nga kjo ngjarje, del vendimi nga Kuvendi për ndryshimin e emrave të tillë! Unë u bëra nga Budion në Besnik për 22 vjet. Më pas e ndryshova prapë me emrin Budion Xhelo. 

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tutu: 04/07/2025 22:54

    Te gjithe trima dhe te zote mbas beteje.. ndaj dhe Shqiperia eshte vendi me intervale te gjata bosh ne historine e saj .. !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës ’media vari Kar-lo’?