Një sërë pikturash murale në qytetin e Fushë-Arrëzit realizuar nga disa artistë zivceranë kanë për qëllim krijimin e një identiteti të ri për qytetin. Nisma e emigrantit Martin Tabaku ka ardhur si kontribut për zhvillimin e turizmit në qytetin e vogël malor.
***
Fushë-Arrëzi, i njohur si qendër industriale, po merr jetë të re përmes muraleve të cilat bashkë me rikonstruksionin e fasadave nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit duket se kanë mundur zymtësinë dhe harresën ndër vite të kësaj zone.
Një grup artistësh zvicerianë, falë ndihmës së njërit prej bijve të zonës, Martin Tabaku, emigrant në Zvicër, i kanë dhuruar një galeri figurative urbane qytetit të vogël malor.
Portrete, pjesë e të cilave dhe simbolet kombëtare, janë shkrirë me ngjyrat e forta të artit bashkëkohor duke i dhënë qytetit mes malesh pamjet e një galerie të hapur.
“Festivali Wallidia është një koncept që e kam krijuar dy vite më parë, pas një udhëtimi me biçikletë në Marok, ku u mbajt edhe edicioni i parë. Sot, ne festojmë edicionin e dytë, këtu në Shqipëri. Ky moment për mua është para së gjithashtu për të nderuar miqësinë midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Këto janë dy vende të lidhura ngushtë, dhe për ne ishte e rëndësishme që ta sillnim këtë edicion këtu, në Fushë-Arrëz”, thotë organizatori Jean-Damien Zacariotto
“Zgjodha të paraqes shqiponjën, një kafshë që më ka frymëzuar prej kohësh dhe që është një simbol i fuqishëm i Shqipërisë. Për mua ishte e qartë: këtu duhej të ishte një shqiponjë. Kjo shqiponjë simbolizon forcën dhe lirinë, pikërisht atë që doja të përcillja përmes kësaj pikture.
Realizimi i kësaj muraleje gjigante ka qenë një kënaqësi e madhe për mua, dhe shpresoj që banorët të ndiejnë po aq gëzim sa kam ndier unë duke e krijuar”, shprehet artisti Micha Hanni.
Për organizatorin e kësaj nisme, ky është vetëm fillimi i kontributit për vendlindjen.
“Unë jam larguar i ri nga qyteti. Gjithnjë kam pasur dëshirë të bëjë diçka që ndikon dhe për turizmin. Besoj ky është vetëm fillimi i disa nismave që kam dëshirë të ndërmarr”, thotë Martin Tabaku.
Nisma jo vetem i ka dhënë pamje të ngrohta artistike hapsirave publike, por po sjell dhe një identitet të ri për qytetin e sharrtarëve dhe minatorëve duke e bërë atë më tërheqës dhe për vizitorët.
Komente
