Shantazhi, gjuha e urrejtjes, bullizmi e deri tek ngacmimet seksuale janë fenomenet më të përhapura të dhunës online tek të miturit në vendin tonë.
Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Altin Hazizaj tha për Report Tv se shantazhi dhe kërcënimi seksual online përbëjnë rastet kryesore të raportuara.
Ai u ndal edhe tek raporti i publikuar nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, iSIGURT.al, ku tha se 437 rastet që ka nxjerr raporti janë serioze.
‘Të gjitha rastet që vijnë tek ‘Isigurt’ janë raste të rënda, sepse edhe fokusi i ‘isigurt’ është për bulizmin online ekstrem, ose në rastet kur profili i një adoleshenti përdoret nga dikush tjetër ose raste kur të rritur ngacmojnë të miturit, pastaj kemi edhe raste që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes. 437 rastet që ka nxjerr raporti janë serioze, ku shantazhi dhe kërcënimi seksual online përbëjnë rastet kryesore të raportuara. 3 incidente kanë qenë serioze’, tha ai.
Ai theksoi se rastet janë referuar në polici. Sipas tij, ligji duhet që të jetë i ashpër sa i përket mbrojtjes së fëmijëve në internet.
‘Po nëse përbëjnë vepër penale, ne jemi të detyruar të raportojmë edhe pranë agjencisë për mbrojtjen e fëmijëve dhe pranë policisë. Kemi marrëveshje me këto institucione dhe mendoj se koordinimi mes instancave është i rëndësishëm, fokusi jonë është që këto materiale që janë të paligjshme të evidentohen dhe më pas të raportohen dhe duhet që të hiqen nga interneti dhe ato profile që dëmtojnë fëmijët të mbyllen. Ligji penal duhet të jetë i ashpër sa i përket mbrojtjes së fëmijëve, mbrojtja e fëmijëve në internet është kthyer në një urgjencë kombëtare', tha ai.
Një apel, Hazizaj e pati edhe për prindërit, të cilët sipas tij duhet që të kontrollojë fëmijët.
‘Prindërit duhet që ta kenë të qartë se interneti nuk është i sigurt për fëmijët, duhet që të instalojnë programe për mbrojtjen e tyre. Rrjetet sociale, Facebook, Tiktok, Instagram nuk janë bërë për fëmijët dhe jo më kot ato kanë vendosur moshë limit. Prindërit duhet që të jenë të kujdesshëm kur i japin në dorë fëmijëve një telefon. Ata duhet ta dijnë me kë bisedon dhe për çfarë bisedon fëmija i tyre online’, tha ai.
Komente
