Kriza e çmimeve ka dhënë rezultatet e para në shifra në ekonominë e vendit, e cila është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e dytë të luftës, që përkon me muajit e pas nisjes së luftës. INSTAT raporton se në tremujorin e dytë të vitit rritja ekonomike ishte vetëm 2.23%, nga 5.97% që ishte në tremujorin e parë të vitit. Për gjashtëmujorin e parë të vitit rritja ekonomike kalkulohet në 4.1%.
Ky ngadalësim i ekonomisë është pasojë direkte e krizës së çmimeve që ka shkaktuar lufta, e cila po shoqërohet me vlera rekord inflacioni. Ndikimin më të madh në ngadalësimin e rritjes ekonomike e ka dhënë rënia sektorit të ndërtimit dhe energjisë elektrike.
Kjo ulje e ritmit të rritjes vjen pas një ecuri pozitive të vitit të kaluar, kur vendi po rimëkëmbej nga goditja që mori nga pandemia COVID-19.
“Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +1,68 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,65 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,33 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,31 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,26 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,06 pikë përqindje. Negativisht kontribuuan aktivitetet: Ndërtimi me -0,49 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me -0,46 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,32 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,09 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me +0,29 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT.
Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rënie prej 1,16%. Aktiviteti i Artë, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi u shfaq me një rënie prej 0,16%. Taksat Neto mbi produktet patën një rënie me 0,24%.