Knut Fleckenstein

Ngazëllimi i opozitës shqiptare për Fleckenstein, e vërteta e zgjedhjeve europiane dhe ndikimi për Shqipërinë

27 Maj 2019, 16:22| Përditesimi: 27 Maj 2019, 16:25

  • Share

Ka 24 orë që qarqet opozitare shqiptare janë në delir për humbjen e Knut Fleckensteinit në zonën e tij elektorale në Hamburg që e cilësojnë si fitore të kauzës opozitare dhe si rrjedhim një triumf të forcave euroskeptike e ultra të djathta që PD e LSI lançojnë prej kohësh edhe pse njëra është pjesë e PPE e tjetra aleate e PSE-së, ku LSI militon prej vitesh. 

Por në fakt kjo është thjesht folklore tribal i emocioneve të liderëve të PD-së dhe LSI-së që nuk kanë bërë ende një deklaratë zyrtare mbi rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Madje as PS-ja nuk e ka bërë një të tillë. Dhe kjo përbën një qëndrim aspak serioz për një vend që ka aspiratë të integrohet në BE ku si qeveria ashtu edhe opozita e konsideron se ka aleatë forcat pro europiane në kontinent. 

Por në fakt çfarë ka ndodhur në zgjedhjet europiane që tashmë rezultatet janë thuajse zyrtare. 

Sipas të dhënave që japin të gjithë burimet serioze të kontinentit, koalicioni pro BE-së jo vetëm që nuk është tkurrur por është zgjeruar. 

Që do të thotë, nga tkurrja e socialdemokratëve kanë përfituar të gjelbrit që janë edhe më shumë partizanë të zgjerimit. 

Dhe që realisht është lajm i mirë për Shqipërinë. 

Por për të analizuar rezultatet në nivel lokal pra në atë që Shqipëria përfiton, duhet të marrim rezultatet në vendet ku ka pasur një skepticizëm për të dhënë votën pro hapjes së negociatave. 

Vendi i parë është Holanda, që jo vetëm ka qenë kundër hapjes së negociatave por ka miratuar edhe një rezolutë për të kthyer vizat. 

Në Holandë partia e ekstremit të djathtë që aq shumë ka sulmuar shqiptarët nuk arriti të fitojë, edhe pse shumë e konsideronin jo vetëm si triumfuesen por edhe diktuesen e axhendës politike. Parti e parë është Partia Laburiste, ndërsa Partia e Lirisë e Geert VVilders është në vend të barabartë me demokristianët e kryeministrit Ruute që ka marrë 4 vende europarlamentarësh. 

Në Gjermani në vend të parë është partia e Angela Merkel. Edhe pse kanë humbur mjaft pikë socialdemokratët që janë në qeverinë e koalicionit të madh kanë avancuar shumë të gjelbërit që janë partizanë të zgjerimit, madje edhe më shumë se socialdemokratët dhe kristiandemokratët e Merkelit. 

Në Francë, parti e parë është Fronte National e Le Penit me 22 europarlamentarë karshi 21 të Lëvizjes Marche të Presidentit Macron. Por të gjelbërit kanë avancuar shumë duke u renditur si partia e tretë me 12 europarlamentar krahas 8 të Les Republicans të ish-presidentit Sarkozy. 

Macron deri tani ka mbajtur qëndrime stopuese integruese nga frika se mos humb vota djathtas të cilat i ka humbur. Që të mbijetojë politikisht Presidenti francez do të duhet të kërkojë aleancë majtas pra me të gjelbërit që të mos mbytet nga ekstremi i djathtë që i ka ndodhur centristëve republikanë. Ky është një sinjal i qartë që padyshim që do të dalë në pah në ditët në vazhdim. 

Në Austri që është një vend shumë ndikues për Shqipërinë, forcat e ekstremit të djathtë që rezultuan faktikisht edhe filoruse janë dërrmuar keqas. 

Kristiandemokratët e kancelarit Kurz dhe eurokomisionerit për zgjerimin Hahn janë renditur të parët me 7 vende ndërkohë që parti e dytë janë socialdemokratët. Ekstremistët kanë humbur pozicionin e marrë në zgjedhjet parlamentare duke u renditur të tretët. 

Si përfundim: qeveria e ardhshme europiane pra komisioni do të jetë më progresiste pasi do të ketë të gjelbërit si mbështetje dhe në ekzekutiv. Mazhoranca do të jetë po ashtu.  

Ndërkaq në vendet e BE ka pasur rezultate të ndryshme. PSh në Spanjë socialistët e kryeministrit Sanches kanë triumfuar, në Greqi, Syrisa e Tsipras ka humbur, në Britaninë e Madhe kanë triumfuar të djathtët pro Brexit, në Itali Salvini është forcë e parë kurse PD e qendrës së majtë ka kaluar Lëvizjen 5 Yje. 

Por të gjitha këto janë rezultate derivate, thelbi është Parlamenti Europian, ai nuk ka rënë në duart e grupeve ekstremiste të djathta… 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?