A do ti mbijetojnë manifaktura krizës së euros? Kjo është pikëpyetja më e madhe e muajve të fundit, ku humbjet e këtij sektori vijojnë të thellohen prej forcimit të lekut. Referuar shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti bizneset fasonë kanë shitur tekstile dhe këpucë me vlerë 541.2 milionë euro, ose 123.8 milionë euro më pak se në vitin e kaluar.
Po ashtu negative paraqitet situata edhe për kontratat e reja të këtyre bizneseve, pasi importet e tekstileve dhe këpucëve janë ulur me 55.8 milionë euro, pasi këto sipërmarrje në total kanë importuar 416.9 milionë euro.
Për të mbështetur këtë sektor që ndodhet në vështirësi përballë rënies së euros, qeveria miratoi garancinë sovrane prej 4 miliardë lekë, që hyri në fuqi në prill të këtij viti. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 muaj që kur kjo skemë ka hyrë në fuqi, burime nga ky sektor thonë se deri më tani është dhënë vetëm një kredi nga një bankë. Aktualisht vetëm 6 banka kanë firmosur për zbatimin e kësaj mase, por shumica prej filialeve të bankave nuk janë të gatshme për të pritur aplikime nga bizneset.
Ndërkohë burime nga Ministria e Financave thonë se procesi ka ngecur për shkak se bankat nuk janë dakord me normën e interesit prej 1.5% që do aplikohet për kreditë që do marrë ky sektor. Po ashtu Financat thonë se do ju drejtohet një letër-kërkesë bankave, që të përshpejtojnë procesin për kreditimin e këtyre bizneseve.
Kjo garanci mbyllet brenda këtij viti, dhe sipas kushteve të caktuara, aplikimet e bizneseve duhet të bëhen para datës 31 tetor 2024. Norma e interesit për këtë garanci sovrane është 1.5%, dhe për 70% të vlerës së kredisë së dhënë del garant shteti.
Garanci sovrane nuk ka. Shqiptarët po ikin nga vendi, kush do Dali garant? Ata që kanë mbetur aty? Apo pensionistat?
Përgjigju