Galeria e Arteve në rikonstruksion

‘Ngërçi’ në Galerinë Kombëtare, Ministria e Kulturës reagon për rikonstruksionin dhe veprat e dëmtuara: Pritet të restaurohen

4 Gusht 2022, 11:45| Përditesimi: 4 Gusht 2022, 23:00

  • Share

Në përgjigje të kërkesës së “Report tv”, për ecurinë e punimeve në objektin e Galerisë Kombëtare të Arteve, rreth specialistëve që iu është besuar restaurimi i Fondit dhe sistemimin e këtij të fundit, si dhe ‘ngërçin e aktiviteteve’ jashtë saj, Ministria e Kulturës ka sqaruar për televizionin se ç’po ndodh në institucionin më të rëndësishëm të artit pamor në vend.

Nuk jepen detajet e kërkuara për fazën e punimeve, dhe nuk premtohet rinisja e aktiviteve të Galerisë, por sa i përket restaurimit të veprave të dëmtuara mësojmë se ende nuk ka nisur. Ndër të tjera mësojmë, se është bërë edhe ndërrimi i drejtores së komanduar Herida Duros, me Entela Çipën. 

Ndërsa kanë kaluar 10 muaj nga fillimi i punimeve, Report tv i ka kërkuar Ministrisë ta informojë edhe lidhur me venndodhjen aktuale të fondit dhe nëse ka nisur procesi i premtuar i restaurimit dhe digjitalizimit të veprave që e kanë të domosdoshme këtë ndërhyrje, si dhe emrat e specialistëve që janë ngarkuar për të marrë punën përsipër. Bëhet fjalë për disa vepra me dëmtime të mbartura, ndërsa ka pasur një plan për t’i restauruar gjatë kohës që godina ka qenë në rikonstruksion, por deri më tani, siç sqarohet nga Ministria e Kulturës, janë në fazë seleksionime dhe inventarizimi të tyre.

“Rikonstruksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve u parapri me një proces të vështirë që ishte ai i zhvendosjes së fondit të veprave të institucionit. Fondi i GKA është vendosur, deri në rikthimin në ambientet e reja në GKA, në sallën e ekspozitave të përkohshme në Muzeun Historik Kombëtar, e cila është përshtatur për vendosjen në kushtet e duhura të ruajtjes dhe sigurisë, të veprave të artit. Zhvendosja e këtij fondi u shoqërua dhe me inventarizimin e të gjitha veprave. Përgjatë këtyre muajve nga ana e punonjësve të arkivës dhe Laboratorit të Restaurimit të GKA, është punuar në mënyrë sistematike për sistemimin e veprave në ambientet e reja, listimin dhe kategorizimin e tyre. Një punë shumë e rëndësishme është edhe seleksionimi i veprave të restauruara dhe atyre që kanë nevojë për ndërhyrje restauruese. Pas këtij seleksionimi pritet të nisë edhe puna për restaurimin e tyre.

Aktualisht, pranë Muzeut Historik Kombëtar është vendosur një laborator funksional, ku do të restaurohen veprat, me qëllim që ato të jenë gati për linjën e re muzeale që do të ngrihet me rikonstruksionin e GKA (Muzeu i Arteve të Bukura). Gjatë kësaj periudhe kemi evidentuar edhe të gjitha nevojat për realizimin e këtij procesi në standarde bashkëkohore, duke kërkuar edhe ekspertizën e huaj. Lajmi i mirë është që pas kërkesave tona, UNOPS, në kuadrin e programit Eu4Culture do të investojë për pajisjen e laboratorit me mjete të reja.

Po ashtu, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrën e Digjitalizimit pranë Ministrisë së Kulturës do të fillojë procesi i rifotografimit të të gjitha atyre veprave, të cilat i kanë fotografitë bardhë e zi, ose ka nevojë për plotësim dokumentacioni. Njëkohësisht i është ardhur në ndihmë çdo studiuesi që ka pasur nevojë për imazhe të veprave për realizimin e punëve të tyre. Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës synon që vitin që vjen, në edicionin e dytë të “Art në Hapësira Publike”, t’i dedikojë një seksion më vete blerjes së veprave të artit për pasurimin e fondit të GKA.”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.

Ç’po ndodh me Fondin Artistik të GKA-së të vendosur përkohësisht në Muze?

Burime për Report Tv pranë GKA-së bëjnë me dije se lista e veprave që kanë nevojë emergjente për t’iu nënshtruar restaurimit është në përditësim dhe se publikimi i tyre sipas kategorizimit do të duhej të shoqërohej me një analizë të hollësishme të detajeve të punës, kushteve, pajisjeve në mungesë për ndërhyrje të caktuara etj. Kjo, siç thuhet, për të shmangur debatin publik dhe keqkuptimet që mund të shkaktohen pa njohur të gjitha rrethanat. Fondi prej 5000 veprash ruhet i plotë në Muze, dhe restaurimi i veprave që kanë nevojë për ndërhyrje, sipas informacioneve bëhet me 3 specialistë në Laboratorin e Restaurimit të zhvendosur.

Çfarë premtoi Ministria e kulturës në 18 tetor 2021 kur nisën punimet në Galeri?

Sapo nisën punimet Ministria e Kulturës, lajmëroi se: ‘Periudha e realizimit të punimeve në Galeri do të shfrytëzohet për restaurimin dhe digjitalizimin e fondit artistik dhe arkivave, në bashkërendim me institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore’.

Ambientet e Galerisë Kombëtare prej 10 muajsh janë të mbyllura. Sipas Ministrisë së Kulturës, rikonstruktimi, nëse i përmbahen afateve, do të përfundojë në tetor të 2023-shit. Krahas projektit 1 miliardë lekë të besuar Studio Atelier4, që llogarit edhe zgjerimin në pjesën e pasme, u premtua se paralelisht do të restaurohej dhe digjitalizohej fondi artistik i arkivave. 

Për restaurimet, siç është pohuar nga Ministria, mbikëqyrja ka qenë direkte nga vetë ky institucion, ndërsa, thirrja për kandidat të ri në krye të Galerisë, do të bëhej pas sistemimit të stafit. Aktualisht, riorganizimi po bëhet edhe në mungesë të një bordi, që po ashtu, pritet të zgjidhet në vijim, pa pasur afate konkrete.

Ndryshe nga sa u premtua, për vijueshmëri në të tjera ambiente ekspozuese, gjatë kësaj kohe aktiviteti i Galerisë ka ndaluar. Qoftë institucioni, ashtu edhe ministria eprore, janë mjaftuar me postimin në rrjete sociale të disa prej veprave të Fondit dhe jo vetëm. Ndërsa salla e Muzeut Historik, është përdorur si magazinë me dyer të kyçura për disa nga veprat. Sende e arkiv janë sistemuar në Albafilm. Aktivitetet e së ardhmes e lënë faqen e Galerisë  të bardhë, ndërkohë i vetmi opsion për të ruajtur lidhjet e publikut me artin e saj, mbetet shfletimi i fotove të postuara në rrjetet sociale të institucionit e Ministrisë së Kulturës.

Ç’po ndodh me Fondin Artistik të GKA-së të vendosur përkohësisht në Muze?
Burime për Report tv pranë GKA-së bëjnë me dije se lista e veprave që kanë nevojë emergjente për t’iu nënshtruar restaurimit është në përditësim dhe se publikimi i tyre sipas kategorizimit do të duhej të shoqërohej me një analizë të hollësishme të detajeve të punës, kushteve, pajisjeve në mungesë për ndërhyrje të caktuara etj. Kjo,  siç thuhet, për të shmangur debatin publik dhe keqkuptimet që mund të shkaktohen pa njohur të gjitha rrethanat. 
Fondi prej 5000 veprash ruhet i plotë në Muze, dhe restaurimi i veprave që kanë nevojë për ndërhyrje,  sipas informacioneve bëhet me 3 specialistë në Laboratorin e  Restaurimit të zhvendosur.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?