Ish-ambasadori shqiptar në OKB Agim Nesho ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, ndërsa ditën e sotme ka dështuar edhe seanca e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
I ftuar ditën e sotme në emisionin 'Frontline', në Report Tv, Nesho tha se zvarritja e konstituimit të parlamentit është shqetësuese.
'Kosova është njohur për zgjedhje të mira, por ky ngërç aktual vjen nga vetë parlamenti i Kosovës. Kjo situatë lidhet jo vetëm me zhvillimet e brendshme, por edhe me faktorë gjeopolitikë, përfshirë ndikimet që kanë ardhur nga zgjedhjet në SHBA, të cilat në njëfarë mënyre kanë tronditur edhe Europën. Osmani është një figurë shumë e rëndësishme për çdo qeveri që do të formohet në Kosovë', tha ai.
Teksa u pyet se si mund të kalohet ky ngërç, ai tha se një nga mekanizmat mund të jetë edhe votimi i fsheht.
Po, votimi i fshehtë mund të jetë një mekanizëm për të kapërcyer këtë krizë, por numrat në Parlament janë të vegjël. Kjo është një krizë që duhet kapërcyer me një formulë që përfshin faktorët e brendshëm. Kosova ka nevojë për një unitet të forcave politike që të krijojë një qeveri të stabilizuar', tha ai.
I pyetur për marrëdhëniet mes Kurtit dhe Ramës, Nesho ishte kritik ndaj kryeministrit shqiptar.
“Është e vështirë, sepse Rama duhet të ndryshojë qasjen e tij. Ai e ka pozicionuar veten si "babai i kombit", por kjo e bën të vështirë një marrëdhënie të barabartë. Politika e tij nuk ka pasur një shtyllë të qëndrueshme. Kosova nuk mund të trajtohet si një aneks i interesave shqiptare. Nëse preken interesat kombëtare shqiptare, duhet të ketë një unitet funksional, dhe jo një marrëdhënie të njëanshme.
Për kërcënimet ndaj Presidentes Osmani, Nesho tha se nuk mendon se janë kërcënime fizike direkte, por theksoi se autoritetet duhet t’i hetojnë.
'Nuk besoj se bëhet fjalë për kërcënim fizik real. Por nuk është normale që presidentja e një vendi të marrë kërcënime të tilla. Duhet hetim i plotë. Osmani është një nga figurat kryesore në politikën e jashtme të Kosovës', tha ai.
Komente
