Kuvendi i Kosovës

Kosova & Rajoni

Tre emrat e propozuar nga LVV nuk siguruan 61 votat e nevojshme, dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë

24 Gusht, 09:43| Përditesimi: 24 Gusht, 12:08

  • Share

Tre emrat e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar kuvendi në seancën konstituive të kësaj të diele nuk arritën që të siguronin 61 votat e nevojshme. LVV fillimisht propozoi ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, edhe pse nuk u 'kualifikua' në seancën e kaluar, duke bërë që të rrëzohej sërish. Nga 106 deputetë të pranishëm, Murati mori vetëm 55 vota pro, 46 kundër dhe 5 abstenime. 

Edhe emri i dytë i propozuar Arbërie Nagavcin, ministrja në detyrë e Arsimit, u rrëzua me 55 vota pro, 47 kundër dhe 4 abstenime. Edhe Dimal Basha nuk arriti që të merrte votat e nevojshme pasi 57 votuan pro, 25 kundër dhe 24 abstenime. Seanca e radhës konstituive do të mbahet më 26 gusht, në orën 11:00.

Kjo ishte përpjekja e tretë pa sukses që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton që kandidatët mund të hidhen në votim vetëm deri në tre herë dhe se votimi duhet të jetë i hapur.

Pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi vijoi akuzat ndaj partisë së Albin Kurtit.

“Nuk na mundësuan një pauzë 10-minutëshe, nga e cila do të mund ta votonim një kryetar Kuvendi, edhe nëse do të ishte Dimal Basha. Tek e fundit këta njerëz i ka Vetëvendosja. Shpresoj që pasnesër të mos ketë arrogancë të njëjtë Avni Dehari (kryesuesi i seancës) dhe nëse ka propozim që mund t’i marrë votat e PDK-së të na jap një pauzë 10-minutëshe”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese ka 'urdhëruar' konstituimin e legjislativit brenda 30 ditësh, afat i cili skadon më 18 shtator. Sipas Kushtetueses, një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tre herë.  Që kur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur 54 seanca deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni kritikat e Ramës ndaj vendimeve të gjyqtarëve?