Gazetari Shkodran Hoti, në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun në Report TV, tha se zgjidhja për “ngërçin” politik në Kosovë, për shkak se nuk po arrihet konstituimi i Kuvendit, ka mbetur te Gjykata Kushtetuese. Kjo çështje është dërguar në Kushtetuese nga AAK.
Ai thotë se zakonisht vendimmarrjet e Kushtetueses zgjasin dhe ndoshta do të duhet më shumë kohë. Nga ana tjetër, gazetari tha se presidentja Vjosa Osmani ka vendosur 12 tetorin si datën e zgjedhjeve lokale, ndërkohë që për ngërçin në Kuvend nuk ka bërë asnjë lëvizje të re.
“Janë dy procese të ndara që nuk interferojnë te njëra-tjetra. Tingëllon e çuditshme që tani po merremi me zgjedhjet lokale ndërkohë që nuk është përmbyllur akoma ajo që ka dalë nga zgjedhjet parlamentare. Por zgjedhjet lokale po mbahen në afatin e rregullt, ka pasur dakordësi të presidentes me partitë politike ndërkohë që nuk ka pasur lëvizje të re për të dalë nga kriza. Tani gjithçka mbetet sa i përket bllokadës së kuvendit është vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas kërkesës së AAK, sa i përket zgjedhjeve lokale tani do të fillojë fushata sipas afateve që parashihen ndërkohë që partitë kanë filluar të propozojnë kandidatët e tyre për komunat e Kosovës.
Zakonisht vonojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk mund të parashohim se kur do të japë vendim dhe për më tepër nëse do të jetë edhe zgjidhje për shkak se është një gjë që kushtetuta nuk e specifikon në terma shumë praktik prandaj mund të jetë prapë problematike edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Hoti.
Por a e dëmton Kosovën ky ngërç në raport me dialogun me Serbinë dhe marrëdhëniet me BE? Hoti tha se pasojat mund të jenë të shumëfishta, dhe mund të shkaktohet edhe një krizë ekonomike.
“Mendoj se ka pasoja të mëdha për shkak se jemi në një situatë të tillë kur qeveria nuk është në nivelin e kompetencave të plota të saj ndërkohë që prej faktorit ndërkombëtar bëhet thirrje që të ecet para me procesin e dialogut për të cilin pala jonë nuk është gati dhe nuk ka interes. Duke qenë në një situatë të tillë, ku parlamenti nuk ekziston, rrjedhimisht nuk ka as kërkim të llogaridhënies dhe është pasojë tjetër institucioneve tona,. Në anën tjetër në raport me masat ndëshkuese mund të kemi telashe përderisa qeveria në detyrë...Pra rreziqet janë të shumëfishta duke marrë parasysh edhe krizën ekonomike që po paralajmërohet dita ditës. “, thotë ai.
Komente
