Gjykata Kushtetuese i jep zgjidhje krizës politike në Kosovë dhe u kërkon deputetëve të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur. Vendimi i shumëpritur përcakton se ky proces, duhet të mbyllet brenda 30 ditësh.
Në vendimin e të premtes, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëparshëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “shpallen të pavlefshme”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar të Kuvendit, i zgjidhjet përmes votimit të hapur, dhe nuk mund të votohet më shumë se tre për të njëjtin kandidature.
Po ashtu gjykata urdhëron që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të jenë të pranishëm të gjithë deputetët e zgjedhur.
Pas këtij konstatimi nga Kushtetuesja, deputetët e opozitës hodhën akuza ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“Albin Kurti nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut sepse shteti i është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, ishte reagimi i deputetes së LDK-së, Hymete Bajrami.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët e Kosovës mbajtën 54 seanca të dështuar konstituimi. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.
Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.
Komente
