Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare shqiptare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzicionale dhe “unifikuese”.
Propozimi i Abdixhikut vjen pas një letre që ai e mori nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, për koalicion qeverisës dhe pas dështimeve të njëpasnjëshme për formimin e institucioneve të reja rreth tre muaj pas zgjedhjeve.
“Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të tranzicionit”, tha Abdixhiku në një konferencë për media në Prishtinë.
Abdixhiku e hodhi poshtë ofertën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke thënë se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar.
“E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”, tha ai.
Abdixhiku tha se i ka ftuar liderët e partive parlamentare dhe se e fton edhe Kurtin, për takim konsultativ për ta nisur këtë proces.
“Po flasim për qeveri nacionale të tranzicionit, të unitetit të tanishëm, të domosdoshëm për Kosovën dhe me afat të shkurtër. Me kryeministër dhe kabinet unifikues deri në zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, tha ai.
Abdixhiku tha se disa prej liderëve të partive parlamentare kanë shprehur gatishmëri për këtë.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse, që është pamjaftueshëm për të qeverisur e vetme.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Procesi ka ngecur në konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, për shkak të dallimeve të mëdha mes partive parlamentare në lidhje me kandidaten e propozuar nga Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit./REL
Komente
