Ka dështuar edhe përpjekja e 28-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sikurse në seancat e kaluara, nisur prej datës 15 prill, skenari ishte i njëjtë: seanca zgjati vetëm pak minuta. Seanca e radhës pritet të mbahet pas 48 orësh, të hënën e 9 qershorit, në orën 11:00.
Nuk pati sërish kuorum për formimin e komisionit për zhvillimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, teksa Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut.
Në këtë seancë, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mori vetëm 48 deputetë, kundër ishte vetëm 1 deputet ndërsa abstenime nuk pati. Kryesuesi i seancës Avni Dehari ndërpreu seancën, duke njoftuar se e radhës do të bëhet më 9 qershor në orën 11:00.
Deputeti i PDK, Mërgim Lushtaku tha për mediat pas dështimit të seancës se LVV po tregohet kokëfortë.
“Nuk e di cili kurban duhet të prehet për t’u mbajtur një seancë konstituive që të tregojmë unitet, po tregohet që ka kokëfortësi ende nga mazhoranca dhe nuk ka reflektim për ndryshim të veprimeve antikushtetuese dhe antiligjore”, tha Lushtaku.
Deputeti i LDK, Armend Zemaj u shpreh se nuk ka indikacione se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve. Sipas tij, LVV duhet të hapë rrugë.
“Nuk kemi indikacion që LVV ka bërë ndonjë marrëveshje për konstituim dhe krijimin e qeverisë së re. Kjo është e tepërt çka po ndodhë. Ata ose duhet të hapin rrugë, ose të krijojnë mundësi dhe mos të vazhdojnë me ngërçet”, ka theksuar Zemaj.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku bëri thirrje për reflektim.
“Fatkeqësisht situata absurde në Kuvendin e Kosovës po vazhdon. Kosova po mbetet pa institucion për shkak të kryeneçësisë së LVV, ne bëjmë thirrje për reflektim. Ne si PDK kemi ofruar zgjidhje, nuk është koha të barrikadohemi. Kosova është më e madhe se secila parti”, tha Çitaku.
Në fillim të majit, LVV propozoi formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit. Një propozim i tillë erdhi pasi kandidatja e VV-së Albulena Haxhiu nuk mundi të merrte dot votat e nevojshme për 6 herë rrjesht. LVV, si fituese e zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ka këmbëngulur vazhdimisht për Haxhiun, megjithëse partitë e tjera e kundërshtojnë.
Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit, nga të hapur në të fshehtë, është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për të konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Komente
