Kosova & Rajoni

Ngërçi politik në Kosovë, nënkryetari i LDK: Kurti po mban peng konstituimin e Kuvendit! Në mëngjes sillet si kryeministër, pasdite si deputet

10 Korrik, 14:38| Përditesimi: 10 Korrik, 14:48

  • Share

Deputetët e Kuvendit të Kosovës ashtu si seancat paraardhëse edhe dje dështuan për të dyzetekatërtën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në lidhje për të folur për këtë krizë politike në Kosovë, në ‘Sot Live në Shqipëri’ ishte i ftuar nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri.

“Ka tridhjetë e pesë vjet që ne bëjmë përpjekje politike dhe kemi fituar të gjitha betejat dhe luftërat e mëdha politike që ky popull i ka pasur. Kjo situatë e re, pas nëntë shkurtit të zgjedhjeve të fundit për parlament duke e kuptuar frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës, natyrisht, Kosovën e mban peng vetëm një marrëveshje politike. Kaq e thjeshtë duket. Në fakt në politikë duhet pasur pak vullnet edhe pak pragmatizëm politik. Në këtë rast që i bie partisë së parë, ajo e zotit Kurtit i cili, duke respektuar frymën kushtetuese dhe rezultatin zgjedhor, mund të japë zgjidhje jo ta mbajë peng jetën politike dhe institucionale në Kosovë”, tha Lutfi Haziri.

Më tej Haziri theksoi se Kurti paradite sillet si kryeministër në detyrë dhe pasdite është deputet, po ashtu në detyrë.

“Zoti Kurti, qëllimin e vet politik po e shtyn në çështje dhe në thirrje procedurale që në fakt nuk është krejt procedurale, sepse ai paradite sillet si kryeministër në detyrë dhe pasdite është deputet, po ashtu në detyrë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lejon këtë gjë. Ne nuk mund të bëhemi bashkëpjesëmarrës të shkeljes kushtetuese. Nuk mund të rreshtohemi prapa Zotit Kurti, sepse ai do të na zvarrisë në shkelje kushtetuese. Ne nuk guxojmë që duke qenë gardian të kushtetutës  të bëhemi shkelësit e kushtetutës.

Gjykata kushtetuese është kristal e qartë. Në dispozitiv të saj, nuk e ka vendos atë që ne kemi pritur. Unë besoj që Zoti Kurti do të detyrohet të ofrojë në tavolinë marrëveshje politike. Një marrëveshje politike, e cila mundëson konstituimin e Kuvendit", shtoi ai teksa shtoi se loja me kohën dhe durimin është pjesë e mendësisë së Kurtit

Haziri për zgjidhjen e këtij ngërçi propozon tri opsione: zgjidhjen e marrëveshjes politike për shumicën, krijimin e një qeverie pakicë ose një qeveri kalimtare për një periudhë të shkurtër, që të sigurojë funksionimin e institucioneve dhe përgatitjen për zgjedhje të reja.

"Në Kosovë kemi tri opsione, opsioni i parë është e drejta e fituar, që i njihet zotit Kurti, dhe ne kemi pranuar rezultatin. Por Kurti nuk ka arritur të ndërtojë shumicë thjeshtë politike për të ndërtuar qeverinë. Dhe për pasojë, ne besojmë që po mban peng edhe konstituimin e Kuvendit", tha ai.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?