Vjosa Osmani

Kosova & Rajoni

Ngërçi politik në Kosovë/ Osmani do mbledhë në takim krerët politikë për çështjen e Kuvendit

30 Qershor, 14:48| Përditesimi: 30 Qershor, 14:50

  • Share

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ftojë udhëheqësit e partive politike në takime në ditët në vijim, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit.

Kushtetuesja, në aktgjykimin e publikuar më 26 qershor, obligoi deputetët e dalë nga zgjedhjet e shkurtit, që brenda 30 ditësh të konstituojnë organin ligjvënës.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktgjykimi lejon votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë argumentuar të kundërtën.

“Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina.

Presidentja Osmani ishte shprehur e gatshme t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese edhe pas një takimi konsultativ që kishte pasur me krerët politikë më 15 maj.

Vetëvendosje, si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ajo këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?