Si në njëzet e një përpjeket e mëhershme, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar edhe të martën, për të njëzet e dytën herë, ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Ligjbërësit refuzuan për të katërmbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, më 27 maj, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Dështimi i radhës për zhbllokimin e ngërçit në Kuvend ndodhi rreth një orë pasi organizata të shoqërisë civile, përmes një performance, protestuan para Kuvendit në lidhje me moskonstituimin e institucionit ligjvënës.
"Për çka ju kemi zgjedhë?", "Çdo vonesë ka kosto!" dhe "Cirku i demokracisë" ishin disa nga mesazhet e shkruara në fletë të bardha, të ngjitura në disa karrige të vendosura para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.
"Ky aktivitet është një shprehje publike e pakënaqësisë sonë në formën më konkrete të mundshme, duke vendosur 120 karrige të zbrazëta, të cilat përfaqësojnë secilin prej 120 deputetëve të Kuvendit, që nuk janë duke përmbushur mandatin e tyre për ta funksionalizuar Kuvendin...", deklaroi Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
"Secila karrige përmban një mesazh, i cili është i drejtpërdrejtë ndaj secilit prej deputetëve – një thirrje serioze për të pasur përgjegjësi.... Kemi vendosur edhe orë simbolike, të cilat përfaqësojnë alarmin që është ndezur prej kohësh, por që shumica e deputetëve nuk po e marrin parasysh", u shpreh ai.
Një ditë më herët, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e partisë së tij se kandidatura e Haxhiut për kryetare nuk do të tërhiqet, teksa fajësoi partitë e tjera për mospjesëmarrje në votimin e fshehtë.
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Seanca e ndërprerë konstituive do të vazhdojë të enjten e 29 majit.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.
Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./REL
Komente
