Kosovë - Për të 26-n herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Që nga 1 maji, për të tetëmbëdhjetën herë, deputetët kanë refuzuar të formojnë një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kreun e ri të Kuvendit.
Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë nuk ka arritur të sigurojë 61 vota për t’u zgjedhur në krye të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive më 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Saranda Bogujevci nga LVV-ja tha se partia e saj është në pritje të vendimit të Kushtetueses, ndërkaq shtoi se kanë informacione se disa deputetë janë të gatshëm të votojnë për kryeparlamentarin pas vendimit të gjykatës.
Faton Peci, pjesë e koalicionit me LVV-në, tha se në ditët e fundit ka pasur takim mes LVV-së dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, duke thënë se Limaj shihet si partner i mundshëm për qeverisje.
Limaj, partia e të cilit ka tri ulëse në Kuvend, deklaroi se vendi duhet të ketë një shumicë parlamentare, duke shprehur bindjen se Kosova së shpejti do t'i ketë institucionet e reja.
Seanca konstituive pritet të vazhdojë të enjten, më 5 qershor.
PDK-ja dhe AAK-ja e konsiderojnë Haxhiun si një figurë jounifikuese, duke kërkuar nga LVV-ja ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së për këtë post.
LVV-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kjo parti ka thënë se nuk do ta ndryshojë kandidatin, duke theksuar se Haxhiu e meriton të zgjidhet në këtë pozitë.
Për ta konstituuar Kuvendin, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri dhe pesë nënkryetarët, për të cilët nevojiten 61 vota.
Vetëm pas zgjedhjes së tyre, organi ligjvënës konsiderohet i konstituuar, dhe pas kësaj hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./REL
Komente

Ce do parlamentin, kemi Albinin qe pasi shkaterroi imperializmin amerikan ,shkaterroi dhe ato pak arritje ne M.e Veriut po mendohet tani si te nxije Shqiperine.
PërgjigjuKapeni me shkelma ndyrësirën Albin Kurti përçarësin e shqiptarisë.
Përgjigju