Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar edhe të hënën ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare. Ata janë mbledhur 29 herë deri tani në përpjekje për ta bërë Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sikur edhe në seancat e kaluara parlamentare, nisur prej 15 prillit, skenari ishte i njëjtë: seanca zgjati pak minuta, dhe vazhdon pas 48 orësh – në këtë rast e radhës do të jetë më 11 qershor.
Një ditë para seancës të hënën, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e përsëriti thirrjen e tij për partitë e tjera parlamentare për themelimin e një qeverie të unitetit.
“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi”, shkroi Abdixhiku të dielën në Facebook.
Ai paralajmëroi se do ta bëjë të ditur gjatë kësaj jave një agjendë 15 pikëshe, “një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim”.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo është hera e 21-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ajo këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse.
Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit – nga të hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur së fundmi mundësinë që zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale të rregullta, të cilat pritet të shpallen në muajin tetor, si mundësi për zhbllokim të situatës.
Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, e paraqiti e para këtë ide në një takim që ka zhvilluar Osmani javën e kaluar me figura të subjekteve politike në Kosovë, për të diskutuar datën e zgjedhjeve lokale.
Megjithatë, Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha javën e kaluar se beson që zgjedhjet duhet të mbahen ndaras.
Sipas tij, nëse duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, kjo duhet të ndodhë më herët, e jo në tetor kur mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.
Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar të enjten se “mund të ndodhë që të vijmë në një situatë ku zgjedhjet e reja do të jenë zgjidhje”, edhe pse do të ishte “shumë e komplikuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i organizojë ato së bashku (me lokalet)”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur më 5 qershor se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.
Edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës./REL
Komente
