Kuvendi i Kosovës

Kosova & Rajoni

Ngërçi politik në Kosovë, dështon seanca e 37-të për konstituimin e Kuvendit! Shoqëria civile protestë: Cirku i Republikës sonë

25 Qershor, 08:11| Përditesimi: 25 Qershor, 11:48

  • Share

Pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile në vend kanë protestuar në hyrje të Kuvendit të Kosovës të mërkurën, teksa deputetët e zgjedhur u mblodhën për herë të 37-të dhe prapëseprapë dështuan ta bëjnë Kuvendin e ri, katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.

Derisa deputetët po hynin në ndërtesë, pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile u rreshtuan pranë hyrjen duke mbajtur në dorë pankarta me mbishkrime si, “Deri kur?”, “Boll!”, “Unë jam deputet/e bllokues/e”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, “Loja juaj, pasojat tona” dhe “Deputetë veç në letër”, etj.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i kritikoi deputetët për mungesë përgjegjësie dhe e përshkroi bllokadën si “tragjikomike”.

“Kjo gjendje i ka tejkaluar kufijtë dhe është bërë boll, siç thonë edhe pankartat tona. Të vetmëve që nuk po u bëhet vonë, duket se janë deputetët, të cilët me një papërgjegjësi të plotë janë duke e trajtuar situatën e tanishme si diçka të zakonshme, ndonëse situata nuk është e tillë”, tha Cakolli para hyrjes së Kuvendit.

Ai tha se Kuvendi është shndërruar në “cirk të demokracisë, i cili po vazhdon me shfaqjen e njëjtë tragjikomike çdo 48 orë”.

“Deputetët mblidhen vetëm për disa minuta punë dhe i marrin pagat. Prandaj, ne, si organizata të shoqërisë civile, besojmë se është koha e fundit që deputetët t’i thërrasin arsyes dhe të arrijnë marrëveshje politike për t’i dhënë fund krizës politike”, tha ai.

Ligjbërësit u mblodhën të mërkurën, për herë të 37 radhazi që nga 15 prilli dhe u larguan shpejt si rëndom pa gjetur zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit politik.

Ata do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të premten e 27 qershorit.

Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Kjo është hera e 28-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.

Vetëvendosje, si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ajo këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse.

Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit - nga të hapur në të fshehtë - është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Kjo krizë vjen pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe ka mungesë marrëveshjeje politike mes tyre për të krijuar një shumicë të përbashkët.

Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme. PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9./REL

Ora 11:18
Ngërçi politik në Kosovë, shoqëria civile protestë para Kuvendit: Unë jam deputet bllokues

Organizatat e shoqërisë civile zhvilluan sot një tubim përpara hyrjes së Kuvendit të Kosovës, ndaj moskonstituimit të legjislaturës së re.

Të pajisur me pankarta si “Kur t’ju bëhet boll, kallxoni”, “Unë jam deputet/e bllokues/e”, “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan t’i japin fund krizës institucionale dhe theksuan përgjegjësinë e deputetëve për të përmbushur mandatin e tyre.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?