Për të 44-ën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të vazhduar seancën për konstituimin e përbërjes së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në seancën e sotme, sikurse edhe në seancat paraprake, deputetët refuzuan që të votonin për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe pretendojnë se është jokushtetuese kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje.
Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, këmbëngul se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kërkoi nga deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, por nuk shpjegoi se çfarë mund të ndodhë në rast të mosrespektimit të këtij vendimi.
Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ftoi në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar opsionet për dalje nga kriza. Ajo e përmendi edhe mundësinë që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Komente
