Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as në përpjekjen e 47-të, teksa partitë politike vazhdojnë të ngulmojnë se kanë të drejtë në qëndrimet e veta.
Lëvizja Vetëvendosje - fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit - kërkon që për Albulena Haxhiun - të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.
Deputetët e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.
Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.
Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse po afrohet afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.
Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesit e partive politike, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, mirëpo situata nuk ka ndryshuar.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Komente
