Ministria e Arsimit ka bërë publike listën me 500 libra që rekomandohen për t'u përfshirë në fondin e bibliotekave të shkollave, listë kjo e cila ka ngjallur debat mes akademikëve, botuesve dhe Ministrisë së Arsimit.
Drejtori i Institutit të Historisë, studiuesi Afrim Krasniqi në një shënim në rrjetet sociale tha se lista, krahas gjysmës së saj pozitive, ka edhe një numër të madh autorësh dhe botimesh me natyrë marketingu, të botuara me qëllim audience, pa asnjë filtër shkencor dhe kryesisht me autorë amatorë.
Sipas Krasniqit, në librat e preferuara të Ministrisë së Arsimit, nuk bën pjesë asnjë libër nga institucionet albanologjike, instituti i historisë, gjuhësisë, letërsia, antropologjia apo instituti arkeologjik.
Por Ministria e Arsimit në një reagim zyrtar tha se MAS ndërmori nismën për rishikimin listës së miratuar në vitin 2021 me qëllim që të hartohet një listë me tituj librash që t’u shërbejë realisht nxënësve dhe mësuesve, por edhe të jetë sa më e pranuar nga grupet e interesit.
Shkëlqim Allkaj, Drejtori i Drejtorisë së Politikave të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, njëherësh drejtues i bordit për listën rekomanduese të titujve për bibliotekat e shkollave, shtoi se fakti që MAS e ka bërë publike këtë listë, duke kërkuar sugjerime, mendime e propozime nga kushdo që ka interes për këtë proces, tregon të kundërtën e asaj që z. Krasniqi thotë në postimin e tij, ku flet për mungesë transparence për “grupime të dyshimta”, apo duke prekur çështje të tjera që nuk kanë lidhje me bibliotekat e shkollave.
(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)