Politikë
Sociale

Ngjarja e Gramshit, Partia e Lirisë: Krim institucional dhe neglizhencë, të merren masat, hetim i plotë dhe transparent!

26 Maj, 15:46| Përditesimi: 26 Maj, 16:14

  • Share

Partia e Lirisë reagoi sot për ngjarjen e Gramshit, për helmimin e fëmijëve në kopshtin shtetëror, duke e cilësuar një neglizhencë, papërgjegjshmëri dhe krim institucional që vjen edhe si pasojë e “kontratave me mik” dhe ku ‘kontrollet shtetërore për sigurinë janë vetëm në letër’.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja, bëri përgjegjëse autoritetet shtetërore lokale dhe qendrore për këtë ngjarje.

“Në një vend ku kontratat publike jepen me mik dhe kontrollet shtetërore për sigurinë janë vetëm në letër, siguria ushqimore është kthyer në një rrezik të përditshëm për qytetarët. Partia e Lirisë shpreh indinjatën më të thellë për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në qytetin e Gramshit dhe që ka tronditur mbarë opinionin publik, ku mbi 70 fëmijë të mitur janë helmuar si pasojë e ushqimit të kontaminuar të ofruar nga një kompani private kateringu në një institucion shtetëror – një kopsht që duhej të ishte një vend i sigurt për të vegjlit tanë”, u shpreh ajo.

Teksa renditi dhe mungesën e reagimit nga strukturat shtetërore, mungesën e masave dhe organeve ligjzbatuese, PL kërkoi reagim institucional dhe hetim të plotë dhe transparent.

“Kjo është më shumë se një neglizhencë – është një krim institucional, një akt papërgjegjshmërie totale që vë në rrezik jetën e fëmijëve dhe shkatërron besimin e prindërve tek institucionet shtetërore. Ku janë autoritetet? Pse deri më tani nuk kemi asnjë deklaratë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë apo ajo e Arsimit? Pse nuk është pezulluar menjëherë kontrata me kompaninë e kateringut dhe nisur ndjekja penale për ata që kanë lejuar këtë skandal? Ku është Prokuroria, që në raste të tilla duhet të veprojë menjëherë?”, deklaroi Merja.

Ndërsa kujton se ky nuk është rasti i parë, drejtuesja e lartë e PL-së kërkoi edhe marrjen e disa masave të mënjëhershme:

“Hetim të plotë dhe transparent, të menjëhershëm, nga organet e drejtësisë për të zbuluar përgjegjësit institucionalë dhe kontraktorë. Ndërprerje të menjëhershme të kontratës me subjektin privat që ka ofruar ushqimin. Dorëheqje të menjëhershme të drejtuesve vendorë dhe të strukturave përgjegjëse, që kanë dështuar të garantojnë kontrolle bazë ushqimore. Rishikim të të gjitha kontratave të ushqimit në çerdhe dhe kopshte publike në mbarë vendin. Kjo është pasojë direkte e kapjes së shtetit, e kontraktimeve klienteliste dhe mungesës totale të kontrollit”, përfundoi Merja.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mali: 26/05/2025 19:34

    Sa e mjerë duket kjo zonjë, në vend se të merren me shkaqet reake tê humbjes që jan dyshja Berisha-Rama kokorisin si gjithëherë se dikush tjetër ua ka fajin. Vërtet jeni për keqardhje!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?