Avokati Spartak Ngjela, ka komentuar situatën politike në vend. I ftuar në emisionin 'Studio Live' në Report Tv, ai tha se prania e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike edhe pas humbjes në zgjedhje, është në favor kryeministrit Edi Rama, pasi e ka më të lehtë të fitojë kundër tij.
Ngjela theksoi se Berisha synon që të marr pushtetin, por kjo nuk mund të ndodh sa kohë PD drejtohet nga ai, pasi është një person i shpallur “non grata” nga SHBA.
'Sali Berisha nëse rri si kryetar i PD kjo është në favor të Ramës. Rama e mbron, sepse me atë ai fiton gjithë jetën dhe Rama tani e ka shqetësimin se ai mund të dënohet, sepse është në akuzë penale. Nëse ai nga SPAK dënohet ai ikën nga politika sepse nuk e lejon kushtetuta. Rama do Saliun në PD sepse me atë fiton gjithë jetën. PD me kryetarin e saj luftojnë që të marrin qeverinë, po a mund të ketë Shqipëria një njeri që është non grata në Amerikë?
Ngjela u ndal edhe tek ligji i luftës me Greqinë. Ai tha se ligji i luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka më vlerë, pasi të dy vendet janë pjesë e NATO.
'Këta kanë kërkuar që ta mbajnë, ne jemi në NATO. Janë dy vende të NATO. Fakti që jemi dy anëtarë të NATO-s do të thotë se ka rënë ligji i luftës. Çfarë do të thotë ligj lufte mes dy vende që janë anëtare të NATO-s?, tha ai.
Një koment e pati edhe lidhur me çështjen e detit me Greqinë, për të cilën ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se çështja e detit do të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.
‘Si do ta zgjidhin këta në Hagë, kush do ta hedh. Kush është ai subjekt që do ta çojë në Hagë Shqipëria apo Greqia. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim. Pastaj Gjykata e Hagës nuk ka forcë ekzekutive, kush do ta çojë në Hagë shqiptarët, nëse e çon Rama është me Athinën. Është tradhti kombëtare', tha ai.
Komente
