Politikë

Ngjela në ‘Studio Live’: Saliu duhet të ikë nga PD, po e mban peng, kujton se është ende më 1990! SPAK-un e drejton SHBA, a bëhen revolta kundër drejtësisë?

6 Janar, 19:04| Përditesimi: 6 Janar, 19:33

  • Share

Drejtësia, sulmet ndaj saj, sjellja e Sali Berishës me akuzat ndaj SPAK dhe presioni me militantë para institucionit, ishin disa nga temat e ‘Studio Live’ mbrëmjen e sotme (6 Janar), të gazetarit Arbër Hitaj, në Report TV.

I ftuar ishte avokati dhe politikani Spartak Ngjela, i cili komentoi protestën e PD para Prokurorisë së Posaçme ditën e sotme, duke e cilësuar “të dobët”, teksa fajësoi Berishën se ‘po mban peng dhe skllave PD”.

Avokati u shpreh se “Saliu kujton se është ende në vitin 1990 dhe duhet të largohet nga drejtimi i partisë”, duke i kujtuar edhe faktin se tashmë është “non grata” dhe vetëm “i bie më qafë Shqipërisë”.

“Protesta ishte e dobët. Nuk ka shtet modern që të bëjë protestë para Gjykatës, vetëm Saliu që nuk e di fare se në çfarë sistemi është, ai kujton se është akoma në vitin 1991. Po i bie më qafë Shqipërisë, do shohim do dënohet a jo, ai është në proces penal. Po a bëhen revolta kundër pushtetit gjyqësor, ai është pushtet i pavarur, kush është ky që bën protesta? Ai kujton se është ende në 1990!”, u shpreh Ngjela.

Më tej ai u pyet edhe në lidhje me procesin ndaj Ilir Metës dhe skenarët e mundshëm për ta dëmtuar punën e SPAK në vijim. Por avokati u tregua i qartë, se SPAK nuk komandohet nga shqiptarët, por nga amerikanët, duke lënë të kuptohet se nuk ka skenarë që e dëmtojnë apo ndalojnë punën e drejtësisë së re.

“SPAK-un nuk e drejtojmë ne, e drejton politika amerikane, Uashingtoni, ai e paguan dhe ka ekspertët e tij atje. S’e kemi ne SPAK në dorë, ku e dini ju se sa i ka rrogat SPAK-u?”, tha avokati.

I pyetur për zgjedhjet e 11 Majit 2025 dhe përgatitjet e partive, Ngjela u shpreh se Berishës i dalin shumë keq sondazhet, kurse Rama duket se vijon punën normalisht drejt mandatit të radhës.

“E majta po përgatitet për zgjedhje normale. Ka paraqitur programin e saj, bravo i qoftë. Zgjedhjet janë domosdoshmëri, sa më shpejt aq më mirë e kanë. Kurse PD-së me Saliun i dalin shumë keq sondazhet. Më erdhën mua sondazhet nga ekspertët dhe dalin shumë keq. Ai duhet që të iki nga PD, e mban kot peng e skllav, është edhe non grata nga Amerika, ai duhet të iki nga ajo parti”, vijoi avokati.

Në fund edhe një mendim për votën e emigrantëve, për të cilët Ngjela u shpreh se “deri tani u është shkelur e drejta”, duke shtuar se partitë e mëdha i kanë frikë emigrantët, për shkak se janë 1 milionë vota, pasi “e duan Shqipërinë për veten e tyre”.

“Nuk e dimë me kë janë emigrantët. Nuk ka dalë ligji akoma, duhet parë ligji, pasi nuk ka dalë akoma. Të dyja të moralshme janë, votimin e paguan shteti, është normale, le të bëhet. Votimi i emigrantëve është domosdoshmëri se është shkelje e të drejtave të njeriut. Kudo të jetë duhet të votojë, ai që ka shtetësinë shqiptare. Shteti shqiptar duhet t’i garantojë, nëse nuk i garanton, ka bërë devijim nga të drejtat e njeriut. Ku e di Rama se me kë janë ata, apo ku e di Saliu me kë janë, teksa janë 1 mln emigrantë. Këta që s’duan votën e emigrantëve, nuk duan Shqipërinë, jo votën, e duan ta kenë Shqipërinë të tyren. Do votojnë në ambasada dhe konsullata, kush do i pengojë, askush, për këtë tremben këta? Rama e ka pranuar si proces, tani të shohim”, përfundoi avokati.

Ora 19:16
Ngjela për Report TV: Shqiptarët e Maqedonisë duhet të kërkojnë shkëputjen dhe t’i bashkohen Kosovës! Albin Kurtit i kanë rënë aksionet në sondazhe

 

Avokati Spartak Ngjela, sot në 'Studio Live'

Avokati Spartak Ngjela komentoi sot për ‘Studio Live” në Report TV edhe situatën politike në Kosovë dhe faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Për zgjedhjet në Kosovë ai tha se sondazhet për Albin Kurtin janë favorizuese, por e tregojnë me një trend në zbritje të përqindjes, kurse për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut u shpreh se ndodhen më lartë nga faktori tjetër shqiptar i trevave, në nivel intelektual dhe politik, duke lënë të kuptohet se në të ardhmen e afërt do kërkohet edhe shkëputja prej atij vendi dhe bashkimit me Kosovën.

“Sondazhet dalin për Kurtin, ka rënë nga niveli përqindjes, por sipas të dhënave të mia është përpara. S’kemi pse ngutemi, kur të dalin do shohim. Nuk është aq thellë sa ka qenë, tregon se i kanë rënë aksione, megjithatë flasim para kohe dhe duhet të shohim se çfarë do ndodhi”, u shpreh avokati.

Ai tha se Maqedonia është një shtet bullgaro-shqiptar dhe tashmë që Bullgaria po kërkon shkëputjen e trevave me minoritetin e saj, edhe shqiptarët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. 

“Faktori shqiptar në Maqedoni nuk është në nivelin e Kosovës dhe Shqipërisë, por është më i mirë. Ka 10 vjet në ngritje të intelektit të tyre dhe të votimit, e të gjendjes së tyre. Ka ardhur koha që ata të bëjnë një lëvizje, ata duhet të bashkohen me Kosovën, pse do rrinë? Edhe Bullgaria kërkon bullgarët. Maqedonia është një shtet me shumicë bullgare, shqiptarët në minorancë. Përderisa Bullgaria e kërkon pjesën e saj, atëherë do dalin edhe shqiptarët, krijohet Maqedonia e Shqiptarëve dhe bashkohet me Kosovën. Mbetet jashtë vetëm Çamëria. Maqedonia është një shtet bullgaro-shqiptar”, u shpreh Ngjela.

Në lidhje me Çamërinë avokati shprehet se faktori ndërkombëtar po kërkon që të zhbëjë një padrejtësi të shumë dekadave më parë, duke u rreshtuar pro shqiptarëve së fundmi.

“Kryeministri shqiptar ka folur për Çamërinë në Greqi. E kërkon faktori ndërkombëtar, bota shqiptarë është faktor i rëndësishëm i botës ndërkombëtare dhe do e shpëtojnë nga padrejtësitë që i janë bërë ndër vite. Ka mbetur vetëm Çamëria, do ta shikojmë”, përfundoi avokati.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?