Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian që u zhvillua më 16 maj në Tiranë la pas gjurmët e suksesit.
Por për avokatin Spartak Ngjela, shenja e tij ishte edhe më e madhe sesa një event gjeopolitik, pasi nënkuptonte edhe anëtarësimin së shpejti të Shqipërisë në BE.
Duke analizuar dhe interpretuar mesazhet e 47 liderëve të Europës në Shqipëri, fjalimet e tyre dhe prezencën pa asnjë mungesë, ish-deputeti i PD-së theksoi se kjo ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin.
“Samiti ishte sukses për Shqipërinë. Nuk po flasim për kryeministrin shqiptar, por ishte sukses për vendin. Pra, një event të rëndësishëm politik Europa e bën në Tiranë. Kjo la të kuptohej edhe sipas analizës ndërkombëtare, se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i afërt dhe i shpejtë. Nuk më duhet mua individi, mua më duhet integrimi i Shqipërisë në BE. Shqipëria po shkon drejt perëndimit. Kishim një lidership që iku drejt Lindjes, tani kemi një vend afër Europës”, tha avokati për Report Tv.
Dhe nëse Shqipëria nuk del nga rruga që po ndjek aktualisht, mesazhet e krerëve të shteteve të BE-së dhe Europës do të finalizoheshin së shpejti me hyrje në familjen e madhe europiane.
“Entuziazmi i tyre ishte i dukshëm dhe i ekspozuar, të gjithë liderët erdhën në Tiranë, ishin të pranishëm. Ju e patë, Shqipëria u trajtua si një vend i BE-së, edhe fjalimet e tyre ishin të tilla. Dhe e keni të shpejtë, Shqipëria në BE. Nëse ecim në këtë rrugë, është e sigurt që do jemi në BE”, përfundoi Ngjela.
Lajmi kryesor:
Ngjela për Report Tv: Situata penale e Berishës po rëndohet çdo ditë e më shumë, pa ikur ai PD s’vjen kurrë në pushtet! Mori rezultatin më të dobët historik
A.Q/r.k./ReportTv.al
