80 bagëti të ngordhura në Bërzhitë/ Fermeri: Nuk ishin të sëmura, më thanë kam përdorur vaksinën e gabuar! Groposjen e bëra vetë (VIDEO)

17 Shkurt 2020, 16:46| Përditesimi: 17 Shkurt 2020, 23:02

  • Share

TIRANE- Vijojnë ngordhjet masive të dhive në fermën e Faik Nelkut, në fshatin Dobresh, në njësinë Administrative Bërzhitë të Tiranës. Deri ditën e sotme këtij fermeri i kanë ngordhur 80 krerë dhi, në një mënyrë të mistershme. Për Report TV fermeri Faik Nelku thotë se bagëtitë nuk kanë pasur asnjë sëmundje.

“Rreth 80 kanë ngordhur , kisha gjithsej 140 (dhi) të regjistruara me NIPT, dhe 10 të tjera që i kam blerë. Që me datë 30 janar kanë ngordhur 2 sot 10 nesër. Ngordhje masive pa ndalesë. Nuk kanë qenë të sëmura fare. Ngordhën tre pastaj erdhi veterineri më tha se çdo bëja dhe i çuam analizat tek IKV-ja”, thotë Nelku.

Po Nelku ngre një dyshim tjetër, se bagëtitë mund të kenë ngordhur nga vaksina që nuk ka dhënë efekt, pasi nuk ka qenë e duhura. Sipas tij pas analizave të kryera veterinerë të ndryshëm i kanë thënë se vaksina që ka përdorur ka qenë e gabuara.

“Një tjetër veteriner më ka thënë që pse e bërë ketë vaksinë, duhet të kishe bërë këtë (një tjetër vaksinë). Veterineri i zonës më ka dhënë vaksinën që kam bërë, ndërsa veterinerët privatë më kanë thënë që duhet bërë një vaksinë tjetër. Kam marrë veteriner në Tiranë, Elbasan, Librazhd dhe të gjithë më kanë thënë se duhej një vaksinë tjetër. Bëra tre vaksina dhe tani nuk pranojnë të bëj të tjera, pasi mund të ngordhin përsëri”, shprehet ai.

Fermeri i ka vaksinuar privatisht bagëtitë për sëmundjen e enterotoksemisë, pasi sipas ligjit kjo është detyrë e vetë fermerit. Kjo është edhe sëmundja që është konsideruar si shkaku i ngordhjes, nga ana e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe veterinarisë Tiranë. Referuar deklaratës së Ministrisë së Bujqësisë groposja është bërë konform rregullave, ndërkohë fermeri tregon versionin tjetër.

“Groposjen e bëra vetë. Me makineri, me fadroma, i kam paguar dhe kanë bërë groposjen. Pa përfaqësues të ministrisë së bujqësisë. Vetëm i ngarkonim dhe i groposnim. E mora doktorin sot për t’i bërë parapritë’ më tha mos e bëj, pa bërë 40, le të vazhdojë ngordhja. Nga ministria ende nuk kam një përgjigje, kërkesën e kam çuar të premten. Kecave ua kam bërë pardje, por në atë rrugë janë, po ngordhin”, pohon fermeri.

Ndërkohë referuar Urdhrit Nr. 62, datë 9.2.2018 për miratimin e rregullave për marrjen e masave për eliminimin e kafshëve, eliminimi duhet të bëhet nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar të shërbimit veterinar rajonal, gjë që sipas Nelkut nuk ka ndodhur, pavarësisht se Ministria deklaroi në një reagim zyrtar se kishte marrë masat për groposjen e kafshëve konform rregullave.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kafsha: 17/02/2020 17:04

    Qelbesire fshatar kriminel!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?